September 28, 2024
Maqedoni

Xhaferi: Rruga ekspres Kriva Pallankë-Rankovcë arterie e rëndësishme e Korridorit 8

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi sot beri inspektim në ndërtimin e rrugës ekspres Rankovcë- Kriva Pallankë, e cila është një arterie rrugore e rendësishme nga Korridori 8.

Ndërtimi është ndarë në dy seksione: Dllaboçicë– Çatal, me gjatësi prej 15,5 kilometra dhe gjerësi prej 12,5 metrash, dhe Kriva Pallankë- Dllaboçicë me gjatësi prej 10 km dhe gjerësi të rrugës prej 11,4 metra.

“Realizimi aktual i seksionit të parë është 70% dhe 87% i të dytit, ndërsa rruga pritet të përfundojë deri në maj të këtij viti. Nga ajo qe pamë në terren, jemi të kënaqur me dinamikën, me cilësinë dhe gjithçka që është realizuar deri më tani. Pres që rruga të përfundojë në afatin përkatës. Seksioni në pjesën tjetër, siç më kanë informuar nga NPRRSH dhe ministria, është në një fazë më të avancuar, por pres që ato të përfundojnë brenda afatit”, deklaroi Kryeministri Xhaferi.

Me ndërtimin e rrugës ekspres Rankovcë – Kriva Pallankë do të shkurtohet dukshëm koha e udhëtimit në mes të Kumanovës dhe Kriva Pallankës.