WhatsApp lejon pagesat me kriptovaluta përmes portofolit Novi
Novi, portofoli i kriptomonedhës së Meta Platforms (ish Facebook), ka filluar të lejojë disa përdorues në SHBA të dërgojnë dhe të marrin para përmes aplikacionit të mesazheve WhatsApp.
Funksioni i ri në portofolin Novi është një program pilot i hapur aktualisht për një numër të kufizuar njerëzish, raporton reuters.
Sipas detajeve të disponueshme në faqen zyrtare të Novi, kur përdoruesit shtojnë para në llogarinë e tyre, ato konvertohen në USDP (Pax Dollar), që është një monedhë dixhitale e qëndrueshme e lëshuar nga Paxos Trust Company.
USDP është projektuar që të ketë një vlerë të qëndrueshme në raport me dollarin amerikan. “Pra, në Novi, 1 USDP është e barabartë me 1 dollar amerikan”, njofton kompania.
Përdoruesit mund të mbajnë në mënyrë të sigurt një bilanc në llogarinë e tyre Novi ose ta transferojnë atë në llogarinë e tyre bankare.