“Vrasja”, VMRO-DPMNE-ja akuzon gjykatësen Daniella Aleksoska Stojanovska për afërsi me LSDM-në
VMRO-DPMNE akuzon se gjykatësja Daniella Aleksovska Stojanovska, e cila e ka gjykuar lëndën për Vasil Jovanov, për rastin në të cilin është shpallur fajtor për tregti me lëndë narkotike, është e afërt me LSDM-në. Madje, siç thekson Mile Lefkov, në shtëpinë e babait të gjykatëses e cila e ka shpëtuar Jovanovin apo shoferin që e aksidentoi për vdekje 23-vjeçaren Frosina Kullakova, është i vendosur shtab i LSDM-së.
“Afërsia e gjykatëses Daniella Aleksovska Stojanovska nga LSDM shihet jo vetëm në aktgjykimet e saja kundër VMRO-DPMNE-së, por edhe për atë që të njëjtëve u ka lëshuar hapësirë për shtab partiak. E dukshme është simpatia e gjykatëses Aleksovska Stojanovska ndaj LSDM-së, pasi si gjykatëse ka guxuar që të lëshojë hapësirë për shtab partiak në shtëpinë e saj. Këta janë gjykatësit e LSDM-së, për çka nevojiten reforma urgjente në gjyqësor. Duhet të ketë përgjegjësi për të dëgjueshmit e verbër të LSDM-së në gjyqësor të cilët kanë mbuluar me të zezë familje të tëra”, deklaroi Mile Lefkov, VMRO-DPMNE.
Gjatë ditë së djeshme u publikuan fotografi nga reparti i paraburgimit në Burgun e Shutkës, në të cilat shihet se si Jovanov, është duke përdorur telefon, pavarësisht se të paraburgosurve u ndalohet rreptësishtë të posedojnë telefon. Ndaj kësaj, pati reagim të ashpër si nga opinioni, por edhe nga familja e Frosinës, të cilët kërkojnë përgjegjësi për atë se kush i ka mundësuar Jovanovit të posedojë telefon brenda burgut.
Menjëherë kanë intervenuar nga Drejtoria për Zbatimin e Sanksioneve dhe shërbimet e Burgut të Shutkës, të cilët ia kanë marrë telefonin, ndërkaq plotësisht është hapur hetim për mundësinë e përfshirjes së zyrtarëve të burgut.
“Korrupsioni në burgje është praktikë shumëdekadëshe, për fat të keq. Po investoj të gjitha resurset tona, të cilët nuk janë aq sa do të dëshironim, që të mundet të luftojmë kundër saj, por mund të ju garantoj se prej këtij momenti, në të cilin është edhe drejtori Utkovski, hyjmë në luftë të hapur me persona të këtillë. Dhe në atë luftë ne do të fitojmë”, tha Aleksandar Pandov, Drejtoria për Zbatimin e Sanksioneve.
Jovanov, i cili më 29 janar duke vozitur në gjendje të dehur, pa patentë shoferi dhe në semafor të kuq, e shkeli për vdekje 23-vjeçaren Frosina Kullakovën, pavarësisht se më herët është kapur me marihuanë dhe kokainë dhe është shpallur fajtor, në vend që të përfundojë në burg, gjykata i ka shqiptuar masë për dërgim në shtëpinë edukuese-korrektuese në Tetovë. Megjithatë, ai nuk ka shkuar në shtëpinë korrektuese pasi lënda është në procedurë ankimuese në Gjykatën e Apelit në Shkup, i cili ende nuk është deklaruar.
Qytetarët të revoltuar nga ngjarja e tmerrshme ku humbi jetën Frosina, dolën në protestë. Për protestuesit, nuk bëhet fjale për aksident por për vrasje. Protestë, është paralajmëruar edhe për sot. /Alsat.mk