Vrasja e emigrantes nga Sierra Leone, shpallet i pafajshëm polici i akuzuar
Është shpallur i pafajshëm polici Igor Markov, i cili më 19 prill plagosi për vdekje migranten Fatmata Kamara nga Sierra Leone teksa ajo bashkë me tre emigrantë të tjerë po përpiqeshin të hynin në Maqedoni. Pas provave dhe dëshmive të paraqitura, gjyqtari Nenad Saveski nga Gjykata Penale e Shkupit nuk konstatoi vepër penale në rastin e tij.
I akuzuari nuk ishte i pranishëm në shpalljen e aktgjykimit. Mbi të rëndonte akuzua për veprën penale të “Krimeve të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”, që parasheh dënim minimal 3 vite burg. Ngjarja ka ndodhur në Kazermën e Vjetër afër Gjevgjelisë, kur gjatë një bastisjeje për parandalimin e kontrabandës së emigrantëve, policia gjeti dy kontrabandistë dhe disa emigrantë.
Inspektori i akuzuar nxori armën dhe u bërtiti të pranishmëve që të ndalonin. Njëri nga kontrabandistët u kthye nga ai papritmas dhe u përpoq t’i merrte armën, pas së cilës ata filluan të përleshen. Gjatë përleshjes, arma ka qëlluar dhe ka goditur për vdekje Fatmën, e cila ndodhej në makinën e kontrabandistëve./TV21