VMRO: Projekti i parë i Talatit si kryeministër, parkimi i Mercedesit zyrtar në shesh për të pirë kafe
Nga VMRO-DPMNE kanë kritikuar kryeministrin Talat Xhaferi, përcjell TV21. Nga kjo parti kanë dërguar një fotografi, ku pretendojnë se Xhaferi ka parkuar veturën zyrtare në shesh të Shkupit, vetëm për të pirë kafe.
“Dita e parë e punës e Talat Xhaferit si kryeministër teknik dhe realizoi menjëherë projektin e tij të parë, duke parkuar Mercedesin zyrtar në shesh për të pirë kafe në një restorant. Fatmirësisht Xhaferi nuk është i kompleksuar deri në atë masë, përndryshe do të kishte shkuar të punonte në avionin qeveritar.
Autokrati nga Forino duhet ta dijë se funksioni që kryen është i përgjegjshëm dhe kërkon seriozitet, jo lavdërim dhe sjellje infantile. Çdo ditë mijëra qytetarë varen nga politikat, masat dhe projektet e qeverisë. E kuptojmë që as Kovaçevski dhe as dikush nga LSD nuk do ta kritikojnë Talat Xhaferin, sepse tani po i lusin për lista të përbashkëta”, thuhet mes tjerash në reagimin e VMRO-DPMNE-së./tv21.tv