Maqedoni

VMRO: Mashtrim milionësh me kthim të TVSH-së

Kompani të caktuara marrin si kthim të TVSH-së shuma të mëdha, pa u kontrolluar nga institucionet, paratë dërgohen në llogaritë e këtyre kompanive, më pas ndryshohet pronësia e tyre dhe zëvendësohet me persona nga vendet fqinje. Këto janë akuzat e VMRO-DPMNE-së për një skandal në sistemin e kthimit të TVSH-së. Siç thonë ata, shteti s’ka mundësi t’i kthejë këto mjete, për shkak të llogarive bosh të kompanive kurse akuzojnë se mashtrimi është kryer me përfshirje të personave nga Drejtoria e të Ardhurave Publike.

“Një sistem kompanish për një periudhë më të gjatë kanë tërhequr para mbi bazën e kthimit të TVHS-së me fatura fiktive dhe e kanë dëmtuar buxhetin me miliona. Në rrjetin e kompanive që kanë thithur miliona shpesh janë ndryshuar personat përgjegjës ose pronarët. Në pjesën më të madhe të rasteve ata janë njerëz nga vendet fqinje të cilët vështirë locohen. Për njohësit e politikës tatimore është plotësisht e qartë se një sistem i tillë s’ka mundur të funksionojë pa Drejtorinë e të Ardhura Publike. Personat në krye të drejtorisë ose e kanë ditur dhe kanë heshtur për rastin, ose tërësisht e kanë shkatërruar sistemin dhe s’kanë qasje”, tha Bojan Stojanovski, VMRO-DPMNE.

Nga LSDM-ja thonë se partia opozitare po rrezikon hetimin. Sipas tyre, drejtorja e Drejtorisë së të Ardhurave Publike Sanja Llukarevska tashmë ka folur për dyshimet e një rrjeti të këtillë mashtrimi dhe nesër do të publikojë detajet.

“Se ekziston një rrjet i kompanive të naftës që kanë dashur të mashtrojnë sistemin dhe të nxjerrin para nga buxheti, e ka bërë të ditur publikisht nënkryetarja e LSDM-së dhe drejtorja e DAP, duke paralajmëruar detaje për të hënën. Rasti është zbuluar pikërisht nga DAP, tashmë ka përfunduar e gjithë procedura e zbardhjes së rastit dhe publiku do të njihet me të gjitha informacionet. Të gjithë të përfshirët në këtë rast do të mbajnë përgjegjësi sipas ligjeve”, thonë nga LSDM.

Sipas partisë në pushtet, informacionet e pakonfirmuara të opozitës rrezikojnë procedurën dhe VMRO-DPMNE-ja duhet të ndalojë me dezinformatat.