Maqedoni

VMRO: Kemi mbështetjen më të madhe të qytetarëve

VMRO-DPMNE, javën e ardhshme do t’i propozojë Kuvendit ndryshime në Kodin Zgjedhor, për heqjen e qeverisjes teknike para zgjedhjeve, me qëllim të shkurtimit të afateve zgjedhore. Në të njëjtën kohë, partia është e gatshme të diskutojë kërkesën për një zonë zgjedhore.

Nga partia e Mickoskit thonë se kanë besimin më të madh te qytetarët.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski quhet “administrator i qeverisë së udhëhequr nga BDI”, i cili sipas tyre po ikën nga zgjedhjet.

Ata thonë se besimi i qytetarëve në VMRO-DPMNE është në rritje të vazhdueshme, ndërsa për LSDM-në është në rënie.

“Kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski ka mbështetjen më të madhe te qytetarët në krahasim me të gjithë politikanët në Maqedoni. Kryetari i VMRO DPMNE Mickoski gëzon besimin e 17,7% të qytetarëve, për dallim nga Dimitar Kovaçevski të cilin e përkrahin vetëm 5,5%. Kovaçevski i di sondazhet dhe tendencat e opinionit, se mbështetja për LSDM-në është në rënie të vazhdueshme dhe për këtë arsye po ikën nga zgjedhjet. Kovaçevski nuk ka legjitimitet, e as LSDM-ja, prandaj një orë më parë duhet të ketë zgjedhje të reja të parakohshme parlamentare”, thuhet në deklaratën e VMRO-DPMNE-së.