Maqedoni

VMRO-ja kërkon shkarkimin e Pajazit Pajazitit

VMRO-DPMNE-ja kërkon me këmbëngulje largimin nga detyra të gjykatësit Pajazit Pajaziti, pasi ky i fundit kishte sjell vendimin për arrest shtëpiak të Blerim Ramadanit, nga ku ai u arratis. Sipas partisë së Mickoskit, Pajaziti ka bërë vendime të njëpasnjëshme të gabuara si ai me rastin e Ixhet Memetit por edhe vendimet për sulmin në Kullën e kontrollit në Aeroportin e Shkupit.

“Pajazit Pajaziti duhet të sqarojë se përse e lëshoi Blerim Ramadanit në arrest shtëpiak, në vend se të jetë në burg. Ai e ka ditur se Ramadani është person që mund të arratiset dhe edhe përskaj kësaj ja ka dhënë këtë mundësi. Përgjegjësi duhet të ketë patjetër. Për fillim, ai duhet të shkarkohet kurse më pas kundër tij duhet të niset procedurë për të sqaruar se si në lëndët e tij, shkeljet e rënda kalojnë pa u ndëshkuar me dënime me kusht, ose arratisen”, tha Toni Jarevski, VMRO-DPMNE.

LSDM-ja fajëson ministrin Panço Toshkovski për paaftësinë për të mbajtur Ramadanin të sigurt në arrest shtëpiak.
Në rastin me Blerim Ramadanin, VLEN fajëson BDI-në që me ndihmën e prokurorit Islam Abazi është përpjekur të flijojë Blerim Ramadanin për të shkaktuar tensione dhe prishje të raporteve me Kosovën.