Maqedoni

VMRO: Ish ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska-Stojevska shpenzoi pa kriter paratë publike

Deputeti nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Mile Lefkov në konferencën e sotme për media akuzoi ish-ministren e Kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevska, për shpenzimin e parave publike gjatë një vizite të saj në Londër.

MILE LEFKOV, DEPUTET NGA VMRO DPMNE

„Sot fillojmë me zbulimin e skandalit ‘Bisera Antoaneta’, një seri konferencash për shtyp ku do të paraqesim në çfarë luksi dhe ekstravagance ka jetuar dhe ka kryer detyrën Bisera Kostadinovska-Stojçevska, pardon Bisera Antoaneta, ministre e Kulturës nga LSDM-ja. Në fillim duam të theksojmë se sipas rregulloreve, shpenzimet që bën ministri i Kulturës në baza mujore nuk mund të kalojnë 60 euro në kundërvlerën në denarë. Gjithashtu, ato duhet të shlyhen në arkën e zyrës brenda 7 ditëve pas përfundimit të udhëtimit zyrtar.”

Ai thotë se Konstadinovska në disa raste e ka tejkaluar kufizimin e lejuar dhe ka bërë shlyerjen e shpenzimeve disa muaj më vonë. Kjo është vetëm hyrja. Thelbi qëndron në detaje, dhe në këtë rast është se si janë shpenzuar fondet e qytetarëve nga ajo.

MILE LEFKOV, DEPUTET NGA VMRO DPMNE

“Sot do të prezantojmë rastin e parë. Në tetor të vitit 2023, ministrja Bisera Antoaneta realizoi një udhëtim zyrtar në Londër për një periudhë prej 4 ditësh, nga 24.10.2023 deri më 27.10.2023. Përveç shpenzimeve për akomodimin në hotel, në urdhrin e udhëtimit janë bashkangjitur edhe fatura për përfaqësim. Mirëpo, gjatë shqyrtimit të përmbajtjes së faturave për përfaqësim dhe faturave të bashkangjitura nga karta zyrtare VISA, është konstatuar shpenzim i pajustifikuar i fondeve buxhetore në kundërshtim me rregulloret”.

Në total, për nevoja personale private, Konstadinovska ka shpenzuar 714 paundë, ose llogaritur në denarë, 51,169 denarë për 4 ditë në Londër – para me të cilat një familje katër anëtarësh në Maqedoni mund të ushqehet për një muaj të tërë, theksoi Lefkov.