VMRO-DPMNE: Ekonomia shënon humbje mbi 1 milion euro në ditë, vetëm nga pagesa e energjisë elektrike me çmim të rritur
Partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE, përmes një deklaratë për media ka kritikuar qeverinë për mos menaxhim të duhur të situatës me krizën ekonomike dhe energjetike në vend.
Sipas tyre, për shkak të rritjes së çmimit të energjisë elektrike, ekonomitë vendase vazhdimisht po shënojnë humbje.
“Ekonomia humb mbi 1 milion euro në ditë duke paguar rrymë të shtrenjtë për shkak të Kovaçevskit. Qeveria që të mund të bëjë krime, importon rrymë të shtrenjtë në vend që ta prodhojë në kapacitete vendore, me çmime shumë më të ulëta. TC Negotinë funksionon me kapacitet 90 megavat, ndërsa 130 megavat janë të pashfrytëzuara. Është energjia elektrike që importohet nga jashtë me çmime në bursë dhe mund të prodhohet në Maqedoni me çmim prej 150 deri në 170 euro për megavat orë. Me këtë kompanitë do të paguanin pak më shumë se 200 euro për energji elektrike për megavat orë. Dhe ata do të kursejnë katër herë. LSDM po sjell shkatërrim sepse nuk e ka blerë me kohë naftën dhe nuk janë bërë përgaditjet e duhura”, thonë nga VMRO-DPMNE.
Nga VMRO-DPMNE thonë se kur shtetet tjera përgaditeshin për dimrin e vështirë, qeveria e Maqedonisë nuk ndërmori asnjë masë.
“Kur të gjithë në rajon dhe në Evropë u furnizuan me gaz, produkte nafte dhe naftë, Kovaçevski shiti historinë dhe identitetin, në vend që të kapte dhe të përgatiste vendin për dimrin e vështirë që po vinte. Energjia elektrike në bursat botërore do të bëhet gjithnjë e më e shtrenjtë! Nëse vonohet sërish, dëmi do të jetë shumë i madh. Partia jonë tha para gjysmë viti se çfarë duhet të bëjë qeveria për të parandaluar goditjen e çmimit të rrymës, por qeveria nuk zbaton asnjë propozim nga VMRO-DPMNE-ja”, thuhet në njoftimin e partisë.
Kujtojmë se vendi aktualisht ka shpallur krizë energjetike si dhe janë në funksion masat për kursim energjetik.