VLEN: Pranimi i fajësisë nga Ixhet Memeti, i bëri veting kriminelëve të BDI-së
Koalicioni VLEN në një kumtesë për media thotë se “marrëveshja e arritur ndërmjet Prokurorisë së Islam Abazit për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe Ixhet Mehmetit, ish-anëtar i Këshillit të Prokurorëve dhe një nga figurat kyçe të pushtetit të korruptuar të BDI-së, është dëshmia më e qartë pse qytetarët kanë besim në sistemin gjyqësor me vetëm dy për qind”.
“VLEN ndan shqetësimin dhe zhgënjimin e thellë që ka prekur opinionin publik pas kësaj marrëveshjeje me një nga figurat kyçe të pushtetit korruptiv të BDI-së. Ky rast po bëhet simbol i asaj që nuk shkon me sistemin tonë të drejtësisë, dhe me të drejtë, qytetarët janë duke reaguar me zemërim dhe mosbesim”.
“Fakti që Mehmeti, një individ me një histori të gjatë në pozita të larta përgjatë qeverisjes 22 vjeçare të BDI-së, duke qenë ministër i Drejtësisë, Gjykatës Kushtetuese, Avokat i Popullit, ka pranuar fajin për një rast ryshfeti prej 10 mijë eurosh, pasi fillimisht duke këmbëngulur për pafajësinë e tij, është një shuplakë për të gjithë ata që kërkojnë drejtësi në këtë vend”.
“Ky mosbesim është reflektim i një sistemi që ka dështuar në mënyrë të përsëritur të ofrojë drejtësi të vërtetë për qytetarët e tij, duke mbrojtur më shumë interesat e të fuqishmëve dhe të lidhurve me pushtetin e kaluar”, thonë nga VLEN.
Më tej theksojnë se ata kërkojnë reformë të thellë të sistemit të drejtësisë.
“Ne do të vazhdojmë të angazhohemi për të siguruar që qytetarët e Maqedonisë së Veriut të kenë një sistem drejtësie që funksionon për ta, dhe jo për ata që kanë abuzuar me pushtetin për dekada të tëra. Vetëm përmes një reforme të vërtetë dhe të thellë, do të mund të rikthejmë besimin e humbur të qytetarëve në gjyqësor”, thonë nga VLEN.