September 20, 2024
Maqedoni

VLEN: Përgëzojmë artistët që dolën publikisht për të shpalosur “mëkatet” e këngëtarit të Ali Ahmetit, Shkodran Tolaj

Nga koalicioni VLEN, dënojnë veprimet e drejtorit të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Shqipe, Shkodran Tolaj. Nga VLEN thonë se ai kishte mundësinë të zgjidhë statusin e artistëve, por zgjodhi të ndjekë të njëjtën rrugë të paaftësisë dhe neglizhencës, ndërkaq kërkojnë që Prokuroria Publike të hyjë në këtë institucion. Nga VLEN thonë se po angazhohen deri në zgjidhjen e problemit për 33 artistë që mbetën pa punë.

“BDI dhe satelitët e saj vazhdimisht kanë nëpërkëmbur kulturën shqiptare, dhe e fundit nga kjo nëpërkëmbje është edhe Ansambli i Këngëve dhe Valleve Shqipe në Maqedoninë e Veriut me drejtorin e këtij institucioni, Shkodran Tolaj, i cili si arritje në karrierë ka vetëm faktin që është këngëtar personal i Ali Ahmetit. Rrëfimet e punonjësve të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Shqipe janë skandaloze dhe të tmerrshme. Koalicioni VLEN përshëndet guximin dhe kurajon e këtyre punonjësve që kanë dalë publikisht për të shpalosur “mëkatet” e këngëtarit të Ali Ahmetit, Shkodran Tolaj. Ky person, në vend që të merret me avancimin e kulturës, është marrë me gjithçka tjetër përveç se me detyrën e tij primare, gjë që është emblematike për partinë që ka qeverisur këtë vend për 22 vite me kuadro joprofesionistë. Në vend se të zgjidhë statusin e punonjësve, ai ka zgjedhur t’i lë pezull dhe t’i degradojë, duke shfaqur arrogancën dhe mungesën e përgjegjësisë”, thonë nga VLEN.