BallinaMaqedoni

VLEN: Pas rritjes së pensioneve dhe pagave të mësimdhënësve, vijojmë me rritjen e pagës minimale

Gjendja socio-ekonomike e qytetarëve është prioriteti ynë kryesor. Që nga përfshirja jonë në ekzekutiv, kemi filluar të ndërmarrim hapa konkretë për të përmirësuar mirëqenien ekonomike të qytetarëve, duke dëshmuar se ndryshimi është më shumë se një premtim, është realitet i bazuar në vepra, thuhet në kumtesën e sotme të koalicionit VLEN.

“Zotimet për ne janë të shenjta kur qytetarët të japin përgjegjësi t’i përfaqësosh në ekzekutiv. Andaj koalicioni VLEN që kur u bë pjesë e ekzekutivit, si prioritet të saj ka vënë mirëqenien ekonomike të qytetarëve si dhe zotimet e dhëna për të njëjtën. Si rrjedhojë me kënaqësi informojmë qytetarët se në buxhetin e vitit të ardhshëm është propozuar që paga minimale do të rritet për 2000 denarë, përkatësisht 24.500 denarë. Kjo edhe njëherë dëshmon se për koalicionin VLEN e mira e përgjithshme është në piedestal të qeverisjes.

Ndryshimi nuk është vetëm një premtim, por realitet i bazuar në vepra konkrete. Me VLEN-in, punëtorëve në Maqedoninë e Veriut do tu mundësohet të kenë paga më të dinjitetshme që të njëjtit mos t’i shikojnë mundësitë e ikjes sikur gjatë qeverisjes së kaluar. Përpjekja për përmirësimin e kushteve të punëtorëve vërehet, por nuk mjafton me kaq. VLEN siguron se gjatë mandatit të plotë qeverisës pagat do të rriten gradualisht, kështu do të rritet edhe cilësia e jetës së punëtorëve”, thonë nga VLEN.

Shqiptarët por dhe gjithë qytetarët, theksojnë nga atje, meritojnë jetë më të dinjitetshme, meritojnë më shumë e më mirë. Sigurojmë se do të bashkëpunojmë me gjitha organizatat e punëtorëve për t’i dëgjuar kërkesat e tyre dhe për t’i zbatuar të njëjtat.

“VLEN është garanca për mirëqenie të qytetarëve dhe për një jetë ndryshe. Njëjtë sikur rritëm pensionet, pagat e mësimdhënësve, do të rrisim edhe pagat minimale, andaj si si pjesë e Qeverisë do të vazhdojmë edhe më tej angazhimin për implementimin e masave ekonomike të jetës cilësore dhe mbrojtjen e buxhetit familjar të qytetarëve”, thonë nga VLEN.