BallinaMaqedoni

VLEN nuk i beson vettingut të BDI-së nëse nuk fillon nga Ahmeti

BDI më në fund e kuptoi se duhej të pastrohej nga krimi. Më në fund e qëlluan se ku ishte krimi.

BDI, partia që për njëzet vjet i trajtoi shqiptarët si bazë vetëm dhe ekskluzivisht për bizneset familjare, këto ditë po shpall “vetting”- spastrimin e zyrtarëve nga krimi dhe korrupsioni. E shkëlqyeshme! Më në fund iu shkoi mendja se duhej të pastronin veten.

Por nëse vërtet janë seriozë, le të fillojnë me liderin e tyre – Ali Ahmetin!

Zotërinj nga BDI, a jeni gati të shpjegoni:

• Si Drin Ahmeti, nipi i Ali Ahmetit, pa investuar asnjë denar, u bë bashkëpronar i qendrës tregtare “Soravia” në Shkup, objekt 30 milionë euro? Nëse ky vetting është real, publikoni kontratat, financat dhe bankat që financuan këtë “mrekulli”.

• Si arrin kompania e Drin Ahmetit “Tor Industries” me kontrata shumë milionëshe si nënkontraktore për Korridorin 8 dhe rrugën Kërçovë-Dibër? Sa nga ato miliona kthehen në xhepat e partisë?

• Pse Ministria e Ekonomisë e drejtuar nga Kreshnik Bekteshi nuk ia hoqi koncesionin “Everest JD”, edhe pse kompania e Drin Ahmetit shfrytëzonte minerale ilegalisht? Në vend të sanksionit mori tendera të rinj!

• Si arriti Besian Ahmeti, nipi tjetër i Ali Ahmetit, me një pozitë të lartë diplomatike në Bruksel me vetëm 10 muaj përvojë? Nuk e dinim që talenti për diplomaci trashëgohet nga gjaku!

• Pse Shkumbin Ahmeti, djali i Ali Ahmetit, i diplomuar në Universitetin e Tetovës për arkitekt, tani drejton një kompani për prodhimin e energjisë elektrike dhe me kushërinjtë e tij planifikon të ndërtojë një termocentral fotovoltaik 60 MW me vlerë 35 milionë euro? A janë këto projekte pjesë e “agjendës së gjelbër” të BDI-së apo vetëm banknotat e tyre të gjelbra?

Nëse BDI do vërtet “vetting”, le ta nisë nga radhët e veta. Le të njoftojë se sa para kanë në llogaritë Ali Ahmeti, familja e tij dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tij të ngushtë. Le të vërtetojnë sesi këta njerëz që nuk kanë bërë asgjë veç politikës, u shndërruan në multimilionerë.

Por ne e dimë se ky është vetëm një tjetër paraqitje e rreme. BDI do të flasë për vettingun, por nuk do të prekë krimin e vet. Ata do të fshihen pas deklaratave boshe, ndërsa në prapaskenë vazhdojnë me të njëjtat skema korruptive.

Ndaj, para se të gënjeni popullin, filloni me vettingun e Ali Ahmetit! Nëse nuk keni guximin, atëherë “lufta juaj kundër krimit” nuk është gjë tjetër veçse një tjetër mashtrim. Qytetarët tashmë e njohin lojën tuaj – BDI dhe krimi janë një dhe e njëjta gjë!