VLEN: KSHZ-ja i konfirmoi manipulimet zgjedhore të Frontit Evropian
Koalicioni VLEN përmes një konference për shtyp ka reaguar në lidhje me vendimet e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve për ankesat në lidhje me zgjedhjet parlamentare. Ata theksojnë se KSHZ-ja vërtetoi manipulimet e bëra nga Fronti Evropian, raporton Portalb.mk.
Fatmir Sabriu theksoi se KSHZ duke vepruar në bazë të kundërshtimeve të VLEN vendosi që të hap kutitë e votimit për 7 vendvotime në zonën 6 ku në 4 prej tyre u konstatuan parregullsi.
“Në vendvotimin 2101, vendbanimi Llërcë, Komuna e Zhelinës u konstatua se në kutinë e votimit ka 1 votë më shumë në favor të Frontit Evropian sesa votues të cilët kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre të votës, në vendvotimin 0387 vendbanimi Gostivar dhe vendvotimin 1953 vendbanimi Tetovë pati korrigjim të rezultatit zgjedhor pasi që vota të pavlefshme janë numëruar dhe llogaritur si vota të Frontit Evropian”, tha Sabriu.
Sipas tij, Fronti Evropian duke keqpërdorur mekanizmat e pushtetit ka shkelur dhe deformuar vullnetin e qytetarit, siç janë rastet e konfirmuara me vendim të KSHZ-së në Likovë dhe Llërcë si dhe duke numëruar vota të pavlefshme në llogari të Frontit dhe BDI-së.
Për akuzat e BDI-së se VLEN po bashkëpunon me partitë maqedonase për të ua marrë atyre dy deputet, Sabriu theksoi se janë të pabaza dhe se VLEN ka shfrytëzuar të drejtën ligjore për të parashtruar ankesa për vendvotimet ku kanë pasur informata se ka pasur parregullsi.
Në lidhje me atë se nëse presin që të ketë ndryshim në mandatet e deputetëve nga rivotimi, Sabriu tha se kjo varret nga qytetarët.
Partitë politike kanë dorëzuar 27 ankesa për zgjedhjet parlamentare të 8 majit.
VLEN, ka dorëzuar 10, VMRO-DPMNE 8, LSDM 5 dhe E Majta 4.
Ankesat e VLEN-it janë të gjitha në Njësinë Zgjedhore numër 6, në vendvotimet në Tetovë, Gostivar, Zhelinë, Bogovinë dhe Vrapçisht. KSHZ-dje pranoi ankesën e VLEN për një vendvotim në Komunën e Zhelinës.
Ankesat e VMRO-DPMNE-së janë për vendvotimet në Ohër, Demir Hisar, Krushevë, Kërçovë, Strugë, Manastir, Dollnen dhe Resnjë. Gjithashtu dje KSHZ-ja pranoi ankesat edhe të VMRO-së, ku në tre vendvotime do të ketë rivotim.
Ankesat e LSDM-së dhe koalicionit janë për Njësinë Zgjedhore numër 5, gjegjësisht për në Strugë, Manastir dhe Kërçovë.
Ankesat e të Majtës janë për në Çair, Strugë dhe Gazi Babë
Rivotimi në këto pika mund të sjellë ndryshim në rezultatin final në ndarjen e mandateve.
Nga ana tjetër, Fronti Evropian dy here ka reaguar për këto ankesa, ata akuzojnë se partitë politike maqedonase në koordinim me koalicionin “Vlen” dëshirojnë t’ua marrin një deri në dy mandate parlamentare përmes KSHZ-së.
Zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare në RMV u mbajtën me 8 maj 2024. Sipas rezultateve, VMRO-DPMNE fitoi 58 deputetë, Fronti Evropian 19, LSDM 18, VLEN 13, E Majta 6 dhe Znam 6. Përbërja e re e Kuvendit duhet të konstituuohet më së voni 20 ditë pas zgjedhjeve.