June 29, 2024
Maqedoni

VLEN kërkon përgjegjësi për rrahjen e kandidatit shqiptar nga “Ujqit”

Koalicioni VLEN përmes një reagimi theksoi se rrahja brutale e kandidatit shqiptar në Batalionin e “Ujqërve” në ARM nga ana e kolegëve të tij maqedonas, është kambanë alarmi.

“Ky alarm më shumë duhet të shqetësojë kuadrin shqiptarë në Ministrinë e Mbrojtjes, në veçanti zv.ministrin, tani minisër në detyrë Tiron Jajaga, i cili duhet të jap sqarim për këtë rast pse ka ndodhur dhe pse ai ka lejuar të vijë deri te kjo situatë. Ne pyesim se si mundet një person i thirrur në profesionalizëm dhe bashkëpunim me NATO-në të lejoj dhe të mos merr përgjegjësi për një skandal të tillë? Si mundet që një skandal i tillë të kalon pa përgjegjësi edhe nga kryeministri teknik Talat Xhaferi dhe nga ministri në detyrë i Punëve të Brendshme Nazim Bushi? A është ky ndonjë skenar antishqiptar i përgatitur nga Qeveria tani më në ikje për të krijuar tensione ndëretnike?”, thuhet në reagim.

VLEN po ashtu fton edhe organet e hetuesisë për zbardhjen sa më parë të këtij rasti dhe autorët që rrahën kapitenin shqiptar, të dalin para drejtësisë, si dhe të mësohet e vërteta kush dhe pse e dërgoi atë në Spitalin Psikiatrikë në Bardovcë? “Kujt po i pengon avancimi i shqiptarëve në çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes shtetërore?”, thuhet në reagim.