VLEN: Kallëzimet penale kundër Drin dhe Besian Ahmetit, dëshmi se nuk ka më të paprekshëm!
Nga koalicioni VLEN thonë se kallëzimet penale kundër Drin dhe Besian Ahmeti janë dëshmi se me qeverinë e re nuk ka më persona të paprekshëm. Nga VLEN gjithashtu paralajmërojnë se me zgjidhjet e reja ligjore që kanë propozuar, do të krijohen kushte që të ketë përgjegjësi për ish-funksionarët, të cilët thonë se kanë marrë vendime të papërgjegjshme në lidhje me lojërat e fatit.
“Njëkohësisht, kërkesa për interpretim autentik që kemi dorëzuar në Kuvend, si pjesë e Planit të VLEN për t’u marrë me pasojat e dëmshme të lojërave të fatit, do të mundësojë mbylljen e kazinove online dhe do të krijojë parakushte ligjore për përgjegjësinë e të gjithë ish-zyrtarëve që me vendime të papërgjegjshme sollën lojërat e fatit në çdo shtëpi. Qeveria e re ka filluar procesin e sigurimit të sundimit të ligjit, sigurisë ligjore dhe barazisë para ligjit, dhe këtë askush më nuk mund ta ndalojë. Kallëzimet penale kundër Drin dhe Besian Ahmeti janë dëshmi se nuk ka më të paprekshëm vetëm sepse janë të afërm të funksionarëve të lartë partiakë”, thuhet mes tjerash në reagimin e VLEN.