BallinaMaqedoni

VLEN: Javën e ardhshme do të organizojmë debat publik për Ligjin për përfaqësim të drejtë

Propozim ligji për përfaqësim të drejtë është gati. Kështu u përgjigjën nga koalicioni VLEN për Portalb.mk lidhur me atë se në çfarë faze ndodhet ky ligj i cili pritet të “zgjidhë” çështjen e përfaqësimit etnik nëpër institucione.

Nga VLEN thonë se javën në vazhdim planifikojnë të organizojnë debat publik.

“Pas të cilës propozim ligji do të futet në procedurë parlamentare”, thanë nga VLEN.

Në ndërkohë dje (30 shtator 2024) Ministria e Administratës Publike dërgoi udhëzim nëpër institucionet shtetërore që procedura për punësim në institucionet e sektorit publik mund të vazhdojë nëse në shpalljen publike nuk shënohet përkatësia e komunitetit të kandidatit dhe kandidati nuk obligohet të tregojë përkatësinë e tij në komunitet.

Kjo erdhi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ngrirjen e mjetit “balancues”.

“Procedura tashmë e filluar për punësim në institucionet e sektorit publik ndërpritet nëse shpallja publike është bërë në përputhje me aktet, gjegjësisht dispozitat e përfshira në pikën 1 të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, d.m.th nëse në shpalljen publike theksohet përkatësia ndaj një komuniteti, ose nëse kandidati detyrohet që në aplikacion të tregojë përkatësinë në një komunitet”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Administratës Publike.

Gjykata Kushtetuese më 18 shtator 2024 vendosi masën e përkohshme për moszbatimin e dispozitave për përkatësinë etnike gjatë punësimit në sektorin publik.

Derisa të vendosin nëse “balancuesi” është kushtetues apo jo, ai do të qëndrojë i ngrirë.

Lënda për “balancuesin” u hap pas një iniciative të dorëzuar nga përbërja e vjetër e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) për ta rishqyrtuar mjetin “balancues”, sepse ishin të mendimit se me të bëhen abuzime gjatë punësimit.

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor, Izet Mexhiti, i cili është pjesë e koalicionit qeverisës “VLEN” ka theksuar se shqiptarët nuk humbasin asgjë me heqjen e këtij mekanizmi.

Sipas tij, gjatë formimit të Qeverisë së re, marrëveshja politike mes “VLEN”-it dhe partnerëve nga VMRO-DPMNE ka qenë që “balancuesi” të avancohet në ligj për përfaqësim adekuat të komuniteteve pakicë.

Kryeministri Hristijan Mickoski ka vlerësuar se vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk duhet të komentohen.