BallinaMaqedoni

VLEN: Investimi historik prej 34.5 milionë euro për Universitetin “Nënë Tereza” – dëshmi e angazhimit të koalicionit VLEN ndaj arsimit

Një epokë e re në arsimin e vendit tonë po hapet me një investim historik prej 34.5 milionë eurosh për ndërtimin e kampusit të Universitetit “Nënë Tereza”. Ky vendim, i përkrahur fuqimisht nga e gjithë Qeveria, shënon një pikë kthese të rëndësishme për të rinjtë dhe për të ardhmen e shqiptarëve, thuhet në njoftimin e lëshuar nga VLEN.

“Koalicioni VLEN nuk flet fjalë boshe sikur parardhësit tanë, të cilët, përveç se me gënjeshtra dhe vjedhje, e lanë rininë tonë pa perspektivë. Ky projekt nuk është thjesht një ndërtesë e re, ai është një monument i përkushtimit tonë ndaj arsimit dhe zhvillimit të brezave të ardhshëm. Breza të tërë kanë ëndërruar për një qendër të tillë edukative që do të pasurojë jo vetëm dijen, por edhe shpirtin e një kombi të tërë. Tani, ajo ëndërr po bëhet realitet, duke krijuar një vatër të dijes dhe inovacionit për brezat e që do të vijnë. Ky investim, i inicuar nga VLEN, është një dëshmi e fortë e angazhimit tonë për të siguruar që rinia jonë të ketë mundësitë më të mira për arsim dhe zhvillim. Ne jemi të bindur se ky kampus do të bëhet qendra kryesore e zhvillimit intelektual dhe inovacioneve, duke krijuar kushte optimale për kërkime shkencore dhe përgatitje akademike të nivelit më të lartë”, thuhet në njoftim.

“Koalicioni VLEN do të vazhdojë të punojë me përkushtim për të sjellë projekte që pasurojnë arsimin dhe forcojnë themelet e një të ardhmeje të suksesshme për të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ky investim i rëndësishëm është vetëm një nga hapat që po ndërmarrim drejt realizimit të këtij vizioni madhor. KALOJMË NË VEPRIM”, theksojnë nga VLEN.