VLEN: Dyshime për keqpërdorime nga Grubi
VLEN akuzon se kompani të afërta me funksionarë të Frontit Evropian, gjegjësisht familjarë të tyre, kanë marrë tenderë nga institucionet shtetërore në kohën kur BDI-ja ishte në pushtet. Ata thonë se kompani të afërta me familjarë të deputetit Elmi Aziri, kanë marrë tenderë si pasojë e ndikimit të ish zv.kryeministrit Artan Grubi. Një ditë më parë ata folën për një tender të tillë të Lotarisë Shtetërore kurse sot për një tjetër të ngjashëm.
“Kompania RITRON COPY DOOEL import-eksport Kumanovë, pronar i së cilës është nipi i bashkëshortes së deputetit Elmi Aziri, në periudhën 9 mujore, të llogaritur nga qershori 2021 deri në mars 2022, ka pranuar dy tenderë nga Ministria e Sistemit Politik dhe Marrëdhëniet mes bashkësive, në krye me Artan Grubin, kryelogjistik i Ali Ahmetit. Këta dy tenderë kanë të bëjnë me blerjen e pajisjeve informatike, vlera totale e të cilëve është 2 milionë e tetëqind mijë denarë. Ky është institucioni i dytë shtetëror nën komandën e Artan Grubit, nga i cili merrte tenderët e njëjta kompani. Pa hyrë në profesionalizmin e funksionimit të biznesit të kompanisë RITRON COPY DOOEL import-eksport, nuk mund ta konsiderojmë si zgjedhje të rastësishme të Përparim Bajramit dhe Artan Grubit, që kompania e nipit të deputetit Elmi Aziri të ketë ofertat më të favorshme për fitimin e tenderëve”, tha Bujare Abazi, VLEN.