VLEN dhe BDI kanë një marrëveshje xhentëlmenësh: Nuk hyjnë në një qeveri që nuk i bën ndryshimet kushteuese
“Me këtë të kthehemi në Maqedoni, mandatarit të cilit i jepet mandat për formim të Qeverisë, t’i kërkohet një dinamikë me afate për realizimin e ndryshimeve kushtetuese. Nuk e them për një muaj, dy muaj, tre muaj por mos jetë edhe më shumë se gjashtë muaj. Kjo të kryhet dhe më tutje Maqedonia t’i vazhdon negociatat me Bashkimin Europian”, tha Arben Taravari.
Edhe për Frontin Europian, kusht për koalicionim do të jenë ndryshimet kushtetuese ndërsa kandidati për president, Bujar Osmani, tha se nëse zgjidhet do të angazhohet për një konsensus shtetëror mbipartiak për integrimin e vendit në BE.
Menjëherë pas zgjedhjeve, kusht i jonë për të qenë pjesë e Qeverisë është ndryshimet kushtetuese. Ne nuk do të pranojmë asnjë koalicion me partitë të cilat shkelin mbi katër parime. Marrëveshja e Prespës, Marrëveshja e Ohrit, Marrëveshja për fqinjësi të mirë dhe vetingu me bordin ndërkombëtar”, tha Bujar Osmani.
Për kushtëzimin për ndryshime kushtetuese, Taravari tregoi se ka marrëveshje xhentëlmenësh mes dy blloqeve.
-Me siguri z.Ahmeti ju ka treguar, ne kemi një marrëveshje xhentëlmene, VLEN-i dhe BDI-ja. Që nuk shkojmë në një qeveri që nuk i bën ndryshimet kushtetuese, një marrëveshje xhentëlmene.
-Kjo është me rëndësi, prandaj po flasim.
-Nuk ka dyshim për këtë se ndonjë parti shqiptare mund të bëhet pjesë e pushtetit.
Por çfarë thonë nga partitë maqedonase?
Nënkryetari i VMRO-DPMNE-së Aleksandar Nikolloski, ditë më parë në Click Plus tha se VMRO synon të fitojë aq shumë deputetë, sa që kushtet t’i diktojnë ata e jo të tjerët. Bashkëpunim qeverisës do të bëjnë vetëm me ata që pranojnë kushtet e tyre.
Unë them se VMRO-DPMNE do të fitojë aq shumë deputetë dhe aq rezultat të fuqishëm që ne do t’i diktojmë kushtet dhe jo dikush tjetër. Qëllimi në këto zgjedhje është që VMRO-DPMNE të diktojë kushtet dhe nëse dikush dëshiron të hyjë në Qeveri me VMRO-DPMNE-në, t’a pranojë programin tonë. Kështu do të jetë, ne nuk lëvizim nga kjo çështje. Nëse dikujt i pëlqen programi ynë, mirësevjen , bujrum le të bashkëpunojmë, nëse jo, le të jemi gjallë e shëndosh”, deklaroi Nikolloski.
E për LSDM-në, ndryshimet kushtetuese nuk janë problem, mjafton të harmonizohen programet qeverisëse.
“Nuk do të bëjmë lëshime për të cilat sjellin dëm edhe për qytetarët edhe për shtetin. Nëse me parti të caktuara politike kemi qëllime të përbashkëta programore dhe strategjisë së vizionit, gjithsesi se do të jenë në anën tonë dhe koalicionin tonë me të cilën do të mund ta formojmë Qeverinë”, tha Llukarevska
Përndryshe ndryshimet kushtetuese janë kusht për vazhdimin e bisedimeve për integrim të vendit në Bashkimin Europian. Ndryshimet parashohin që mes disa komuniteteve pakicë, edhe ai bullgar të futet në Kushtetutë.