Maqedoni

VLEN: BDI po lufton me çdo kusht për të shpëtuar krimin e vet

VLEN i është përgjigjur BDI-së në lidhje me akuzat për përkeqësim të përfaqësimit të shqiptarëve në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ushtrisë. Zëdhënësi i VLEN-it Driton Sulejmani, në konferencë për shtyp tha se “22 vite rresht, një bandë politikanësh të korruptuar e ka mbajtur peng popullin shqiptar me premtime boshe, me propagandë dhe me një regjim që përfitonte mbi kurrizin tuaj”.

Ai theksoi se VLEN ka siguruar 70 milionë euro për komunat shqiptare, ka siguruar mjete për Akademinë Shqiptare, ndërsa përmendi edhe punësimet në shëndetësi.

“Po BDI çfarë ka bërë? Për të bëmat e tyre negative duhet një film të xhirohet, por do t’i përmendim vetëm disa! Ata ndryshuan Kondin Penal për të shpëtuar vetë nga burgu! Shpëtuan Mijallkovin, që sot shetitet në Monte Karlo me Ferrari, ndërsa shqiptarët mezi sigurojnë bukën e gojës E ndihmuan të ikë nga shteti dhe pastaj, në mënyrë spektakolare, deshën ta sjellin në Shkup! Ata e zhytën rininë shqiptare në varfëri dhe në bixhoz, ndërsa vetë i mbushën xhepat!”.

“Ata i mbajtën shqiptarët skllevër për 20 vite, duke u dhënë punë me kontrata të pasigurta, e duke i shfrytëzuar si vegla elektorale ndërkohë që vetë jetonin në luks! BDI dhe Prokuroria e Islam Abazit! Kjo prokurori dha pëlqim për faljen e organizatorëve të 27 prillit! Përse? Sepse kështu mendojnë t’i vardisen dikujt! Dhe tani kanë fytyrë të flasin për deshqiptarizim, gjuhën shqipe?! E gjithë përbërja e Gjykatës Kushtetuese është zgjedhur nga shumica e LSDM-së dhe BDI-së! Janë vetë ata që krijuan termin “gjuha që flasin 20 për qind” dhe sot bëjnë sikur e mbrojnë shqipen!”.

“Dhe mos të harrojmë! Më 9 dhjetor, me vulë amerikane, Artan Grubi u fut në listë të zezë! Bashkë me gjykatësin Enver Bexheti, morën para për të liruar Mijallkovin! Kjo është BDI! Këta janë që për 22 vite e lanë këtë popull në mjerim! Nuk ka “deshqiptarizim”, ka vetëm një gjë: BDI po lufton me çdo kusht për të shpëtuar krimin e vet! Ne jemi këtu për shqiptarët! Ata janë atje duke kërkuar një fije kashte për të shpëtuar lëkurën e tyre!”, tha Sulejmani.