Rajon - Botë

Vjen reagimi i presidentit Biden pas arritjes së marrëveshjes Hamas-Izrael për armëpushim dhe lirim të pengjeve

Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se është “jashtëzakonisht i kënaqur” që disa nga pengjet që janë përballur me “disa javë robërie dhe një sprovë të papërshkrueshme” do të ribashkohen me familjet e tyre sapo të zbatohet marrëveshja.

Në këtë drejtim, siç raportojnë mediat e huaja, presidenti amerikan ka falënderuar liderët e Katarit dhe Egjiptit për “udhëheqjen dhe partneritetin e tyre kritik” në arritjen e marrëveshjes.

Dhe ai thotë se vlerëson “angazhimin” e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për të mbështetur një pauzë në luftime.

“Është e rëndësishme që të gjitha aspektet e kësaj marrëveshje të zbatohen plotësisht”, ka theksuar presidenti amerikan.

Reagimi i tij vjen pasi Hamasi dhe Izraeli kanë rënë dakord për një armëpushim katër-ditor në Gaza.

Hamasi tha se ra dakord të lironte rreth 50 gra dhe fëmijë pengje nga Gaza në këmbim të Izraelit që të lironte 150 gra dhe fëmijë palestinezë nga burgjet izraelite.

Veç kësaj, marrëveshja do të lejojë qindra kamionë me ndihma humanitare, mjekësore dhe me karburant të hyjnë në të gjitha pjesët e Gazës.

Në anën tjetër, Qeveria e Izraelit ka lëshuar një deklaratë pasi miratoi një marrëveshje që do të lirojë 50 pengje nga Hamasi gjatë një armëpushimi katërditor.

“Lirimi i çdo 10 pengjesh shtesë do të rezultojë në një ditë shtesë në pauzë”.

“Qeveria e Izraelit, IDF dhe shërbimet e sigurisë do të vazhdojnë luftën për të kthyer në shtëpi të gjithë pengjet, për të përfunduar eliminimin e Hamasit dhe për të siguruar që nuk do të ketë asnjë kërcënim të ri për shtetin e Izraelit nga Gaza”.