Visar Ademi kandidat i Vetëvendosjes për kryetar komune në Gostivar?
Listës së kandidatëve të mundshëm për kryetar komune në Gostivar, i shtohet edhe një emër. Ai është profesori universitar Visar Ademi i cili sonte në emisionin “Politica” në Tv Globi, nuk e ka mohuar se do të garojë në zgjedhejt lokale të tetorit për të parin e Gostivarit, përcjell FLAKA.
“Gjithmonë kur kam dalur në mënyrë më të eksponuar, dikush ka menduar se ja ky ka ndonjë interes personal. Thash se nuk amnistohem nga përgjegjësia që edhe unë kam një rol përgjegjës që populli ynë, shoqëria ynë nuk ecën përpara. Gjithmonë kam dashur të jap një dorë ndihmese me aq sa di dhe posedojë unë. Idenë që do të kyçem diku nuk do ta hedhi asnjëherë… Unë e dua pushtetin lokal se këtu ndahet menaxheri mirë nga menaxheri keq, këtu ndahet ai person i cili do vërtetë të punojë nga ai që s’do. Dhe gjithmonë kam thënë se kur do ta fillojë karrierën time politike, do ta fillojë nga Gostivari. E kam thënë vazhdimisht se nuk kam frikë, pasi mendoj se kam ide e kapacitet. Indikacione ka shumë, po unë nuk dua të them përfudimisht po ose jo sepse jemi akoma herët”, deklaroi profesori uiversitar, Visar Ademi.
I pyetur nga nëse kandidaturën e tij të mundshme e mbështet Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, Ademi përgjigjet:
“Edhe në këtë nuk mund të jap përgjigje të drejtpërdrejtë tash për tash, shumë herët është. Megjithatë nuk është një mundësi që nuk mund të ndodh”, deklaroi Visar Ademi, profesor universitar.
Për garën e të partit në Gostivar tanimë disa emra thuajse janë zyrtare. Nevzat Bejta, nënkryetar i BDI-së duket se do të jetë kandidat i kësaj force politike për Gostivarin, kryetari aktual i Gostivarit, Arben Taravari do të jetë kandidat i ASH-së dhe deputeti Fadil Zendeli pritet të jetë kandidat i mundshëm i Lëvizjes BESA.