(VIDEO) “65 Roses”, dokumentari për Yllka Letin të cilës këndi i lojërave ju bë një fushë betejë me jetën
“65 Roses”, është një film dokumentar i shkurtër, i realizuar nga regjisori Murat Zherka, gjatë studimeve në Fakultetin e Arteve në Tetovë, në vitin 2019-të.
Një film i realizuar nga disa student nga Shkupi dhe Tetova në qytetin e Prishtinës, që flet për jetën dhe përditshmërinë e një 14-vjeçareje, Yllka Leti, e cila vuan nga sëmundja Fibroza Cistike.
Fibroza Cistike, është sëmundje e pashërueshme dhe shumë e vështirë për t’u trajtuar, për shkak të medikamenteve të shtrenjta.
Sfidat dhe problemet e Yllkës janë të shumta, mirëpo Yllka është një vajzë me plot energji pozitive, një vajzë e talentuar dhe shumë e fortë.
Yllka është edhe piktore që në moshë të re kishte ndjekur kurse të ndryshme për pikturën dhe artin.
Gjatë 16-të minutave të këtij filmi, mund të shihet se si Yllka ballafaqohet me problemet shëndetësore dhe si ka vendosur që ta ndihmojë veten dhe familjen e saj.
Premiera e këtij filmi është mbajtur në Shkup më 18 tetor, në vitin 2019-të. Në premierë, nuk është shfaqur vetëm filmi, por ishte organizuar edhe një ekspozitë e pikturave të Yllkës. Të pranishëm ishin mbi 100 persona, dhe vlen të theksohet se pas përfundimit të filmit, të gjitha pikturat e Yllkës u shitën brenda pak minutave.
Filmi “65 Roses”, është shfaqur në festivale të ndryshme të filmit në botë, ku edhe ka fituar çmime të ndryshme si “Dokumentari më i mirë i shkurtër” në Florence Film Awards, “Dokumentari më i mirl i shkurtër” në Moscow Shorts, “Çmimi për distribuim” në DokuFest dhe shumë festivale tjera të ndryshme.
“65 Roses”, tashmë është publikuar online dhe mund të shikohet pa pagesë, në kanalin zyrtar të distributorit të këtij filmi “Bekke’s Short Films”.