Maqedoni

Vetoja e Bullgarisë, PS kundër Metës: Tirana nuk duhet të shkëputet nga Shkupi

Në kushtet kur Bullgaria nuk tërhiqet duke këmbëngulur në veton për Shkupin, lëvizje që bllokon edhe Tiranën për konferencën e parë ndërqeveritare, Presidenti Ilir Meta pak ditë më parë kërkoi ndarjen e dy vendeve në rrugën e integrimit.

Kreu i shtetit ndër të tjera shkruante se “Përparimi i secilit vend në bazë të meritave individuale ka qenë një nga parimet kyç të miratuara në Samitin e Selanikut në vitin 2003” duke përshëndetur qëndrimin e Bullgarisë, që propozon nisjen sa më parë të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Por Tirana zyrtare nuk është e unifikuar në këtë qëndrim. Kryetarja e Komisionit të Politikës së Jashtme, Mimi Kodheli u shpreh sot në një intervistë për “Zërin e Amerikës” se Shqipëria nuk do të kërkojë shkëputjen nga Maqedonia dhe se beson që Sofja do të heqë veton.

“Shqipëria në fakt ka një shok të mirë në këtë rrugëtim, që është komshiu, bashkëudhëtari i saj, që është Maqedonia e Veriut dhe besoj që ky ka qenë rrugëtim që kemi ditur të mësojmë nga gabimet e njëri tjetrit dhe të përfitojmë nga njëri tjetri.

Kështu që nuk mendoj që Shqipëria do të kërkojë, të mund të shkëputet, dhe të duhet të shkëputet, besoj dhe shpresoj shumë, që me zhvillimet e fundit pas zgjedhore në Bullgari të heqë veton dhe t’i hapë rrugën Maqedonisë dhe Shqipërisë për mbajtjen e tryezës së parë ndërqeveritare, ku me gjasë do të marrim “OK”-in për hapjen e negociatave” tha ajo.

Shkupi, por edhe Tirana presin që zgjedhjet parlamentare në Bullgari të pasohen me një ndryshim kursi nga qeveria e re për heqjen e vetos që po mban peng zhvillimin e konferencës së parë ndërqeveritare, pasi rrugëtimi për dy vendet është konceptuar në bllok.

Por Presidenti Radev pak ditë më parë u shpreh qartë se nuk tërhiqet nga vetoja. Megjithatë pavarësisht deklaratës së Presidentit të sapo zgjedhur në mandatin e dytë, fjalën e fundit e ka qeveria e re bullgare që pritet që të formohet.

Fillimisht ideja e ndarjes së Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut u la e hapur, por disa shtete të BE-së u shprehën kundër pasi sipas tyre vendimi do të jepte sinjal negativ për rajonin.