Vështrim për monografinë “Bellanoci”: Banorët e mbajtën fjalën. Ata po kthehen në fshat!
NEHAT JAHIU
(Recensioni)
Botimi i monografisë BELLANOCI, është fryt i punës së gjatë dhe këmbëngulëse të Feriz Dervishit i cili e kishte ëndërr botimn e saj, si një vlerë njerëzore për të kontribuar sado pak me këtë vepër që siç thotë autori, do të jetë obligimi më i madh i jetës së tij për Bellanocin dhe banorët e hershëm e të rinj. Autori e quan vendlindjen dhe fshatin Bellanoc, një monument natyror e njerëzor që duhet njohur qysh nga e shkuara tek e sotmja si një dritare e hapur ku do të shohin veten gjeneratat e tjera. Duke qenë një njeri atdhedashës ai po i shërben nëpërmjet kësaj vepre shqiptarëve të Bellanocit dhe kauzës së vërtetë të autoktonisë së tyre në trojet e të parëve. Autori ka synuar që krahas paraqitjes së historisë së fshatit të përshkruaj edhe tërësinë e disa të dhënave të fshatit Bellanoc që daton shumë herët pasi të gjithë bellanocasit janë të gjithë nga fisi Gashi.
Faktori i migrimit të popullsisë si dëshmi por edhe vazhdimësia jetësore e bellanocësve pasqyrohet në monografi edhe si një shërbim i bashkëpunimit me të ardhmen. Dëshmitë e dhëna nga banorët e vjetër në këtë monografi shënojnë një fillim të ri mbi historinë e Bellanocit. Kujtesa e brezave nëpërmjet dëshmive na rrëfen të shkuarën, qëndresën e popullit shqiptar në shekuj, ngjarjen e Pavarësisë, Luftën e Dytë Botërore, LNÇL, luftën e UÇK-së, etj. Për fshatin Bellanoc ka gjithashtu, të dhëna gojore dhe faktografike që argumentojnë se në këtë fshat ka pasur xhami, ku banorët e saj kanë kryer ritet fetare islame. Nuk ka argumente që në Bellanoc ka pasur kisha dhe manastire sikurse thekson pala sllave. Edhe toponimet e fshatit Bellanoc kanë vlera historike si dëshmi që në këto vende, ne shqiptarët nuk jemi ardhacakë sepse kemi traditat, gjuhën shqipe, kulturën, pra kemi një vazhdimësi të pandërprerë historike të pranisë sonë shqiptare.
Toponimet janë dëshmitë më bindëse si përshembull, çezmat e hershme, emërtimet e arave, te gurt e buajve e të tjera, që flasin me gjuhën shqipe të cilët ishin autoktonë në trojet e të parëve. Këtu denbabaden kanë jetuar shqiptarët. Kjo dëshmohet edhe për Bellanocin. Në kapitujt e monografisë mjedisi gjeografik jepet në një këndvështrim të gjerë qysh në periudhat e burimet e hershme me referenca të shkruara nga studiues të kohës e deri në kohën e sotme. Një gjë e tillë për buajt shkruhet edhe në shënimet e Jovan F. Trifunovskit. Kapituj të veçantë iu kus banorëve të mërguar të Bellanocit që për shkak të kushteve të vështira ekonomike dhe maltretimit të shqiptarëve nga armiqtë tanë shekullorë, janë shpërngulur nga trojet e tyre në Maqedoni për një jetë më të mirë.
Shpërngulje jo të theksuara ka pasur për në Turqi edhe para luftrave ballkanike dhe para Luftës së Parë Botërore. Më të theksuara shpërnguljet kanë qenë rreth vitit 1927-1936, sipas Hartington shkruar te elaboratet e Çubrilloviçit dhe Ivo Andriçit nga viti 1953 deri në vitin 1963 gjatë rrëzimit të Aleksandër Rankoviçit, Ministër i Punëve të Brendëshme të RFS e Jugosllavisë. Pushteti i atëhershëm jugosllav, dhe më vonë Maqedonia, do të pranojnë haptas në një deklarim të gabuar ose përzjerje të shqiptarëve me turq, me qëllim, shpërnguljen e tyre më të lehtë në Turqi. Përndryshe pjesa tjetër e banorëve të Bellanocit migruan nëpër qytetet e fshatrat përreth. Një gjë e tillë ndodhi kur të gjithë banorët pas viteve 1980-1983 kishin migruar nga Bellanoci duke lënë vatrat e tyre bosh. Bellanoci mbeti pa njerëz. Por banorët që migruan në qytetet e fshatrat e Maqedonisë nuk e harruan kurrë vendlindjen e tyre sepse ajo ua shëronte shpirtin. Ata dëshironin të jetonin aty në trojet e të parëve, derisa të jetonte bota.
Kudo që ishin ata kishin mall e nostalgji për vendlindjen e tyre. Shqiptarët ishin njerëz mikpritës, punëtorë të devotshëm e patriotë. Atyre gjithmonë u rrinte mendja ta vizitonin fshatin Bellanoc dhe dashuria për te nuk ju shuhet kurrë. Sot fshati Bellanoc nuk është më në vetmi. Shqiptarët e mbajtën fjalën. Ata po kthehen. Kanë ndërtuar shtëpi të reja. Bellanocit i është kthyer buzëqeshja dhe oxhaqet nxjerrin tym. Autori Feriz Dervishi jep edhe një mesazh: Kam besim të madh se brezat e ardhshëm, aty ku po e lë unë hulumtimin në këtë monografi, do ta vazhdojnë duke u futur në thellësi të shekujve që këtë punë ta çojnë më përpara sesa unë. Kërkoj ndjesë për të gjithë atë që nuk e kam thënë, ndërsa është dashur për ta thënë.