Maqedoni

Vështirësohet gjendja e njërit prej policëve të kidnapuar, i mungojnë barnat

Shemsi Mustafa, njëri nga tre policët kosovarë të rrëmbyer nga forcat serbe, ka thënë se po i mungojnë medikamentet për trajtimin e astmës në burgun ku po mbahen në Kralevë të Serbisë.

Këtë e ka bërë të ditur kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla-Schwarz, në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e vendit, Albin Kurtin, shkruan Gazeta Insajderi.

“Zotëri Shem Mustafa ka theksuar se i mungojnë medikamentet bazike që i përdor rregullisht për gjendjen e tij shëndetësore dhe se kjo po ia vështirëson shumë qëndrimin në burg. Përmes ambasadorit Jashari dhe kontaktit me familjen e tij, do të përpiqemi që sa më shpejt të sigurojmë medikamentet për z. Mustafa”, tha Gërvalla në konferencë.

Ajo njoftoi se policët po ushqehen në baza ditore dhe iu janë dhënë mjete higjienike.

Gazeta Insajderi pak ditë më parë ka raportuar se polici Mustafa është i diagnostikuar me astmë, të cilit i nevojitet trajtimi përditë i problemit të tij shëndetësor.

Mustafa kishte ndërprerë pushimin mjekësor, për të dalë në punë. /Insajderi.org/