Rajon - Botë

Verstappen triumfon në SHBA

Kampioni i trefishtë i botës, Maks Vershtapen, mori fitoren e 50-të në karrierën e tij në Formula 1 dhe të 15-tën sezonale në Çmimin e Madh të Shteteve të Bashkuara. Piloti i Mercedes Ljuis Hemilton u skualifikua nga vendi i dytë nga komisarët e garës për parregullsi në makinë.

Të njëjtin fat pati edhe piloti i Ferrari-t Sharls Lekler, i cili e mbylli garën në vend të gjashtë. Vendimet e komisarëve bënë që Lando Noris të ngjitej nga vendi i tretë një pozicion më sipër, e në podium hipi edhe piloti tjetër i “kokëkuqes”, Karlos Sainz.

Fitorja ishte e treta radhazi për Vershtapen në pistën e Austinit. Holandezi barazoi rekordin e vitit të kaluar për gara të fituara, ndërsa kanë ngelur edhe 4 nga fundi i sezonit.

“Ishte padyshim më e vështirë nga gara sprint e së shtunës. Pata vështirësi me frenat, e kjo nuk ma bëri të lehtë përballjen me pilotët e tjerë. Situata ndërlikohet kur nuk mund të kujdesesh për gomat siç do gjatë frenimit. Por edhe pilotët e tjerë bënë një garë të fortë, kështu që u mundova disi”.

Holandezi e nisi garën nga vendi i gjashtë. Në dhjetëshen më të mirë e mbylli për herë të parë në këtë sezon edhe Logan Sargeant. Ai është amerikani i parë që hyn në zonën e pikëve që nga viti 1993, kur e arriti Michael Andretti.