Diaspora

Venera Gjenashaj zgjidhet kryetare e Shoqatës shqiptare “Kraja” në New York

Sokol Paja

Venera Gjenashaj, aktivistja e shkëlqyer e komunitetit shqiptar në mërgatën e Amerikës u zgjodh kryetare e shoqatës “Kraja” në New York. Ajo do drejtojë një ndër shoqatat më aktive të komunitetit shqiptar në dy vitet që vijnë. Zonja Gjenashaj fitoi mandatin e saj në zgjedhjet e përgjithshme të shoqatës zhvilluara sot më 28 Janar 2024, duke marrë 51 vota kundrejt patriotit të nderuar krajan Safet Doçi me 40 vota. Venera Gjenashaj është kryetarja e parë femër në historinë 33 vjeçare të Shoqatës “Kraja”. Venera është bijë e Krajës, lindur më 7 mars 1981 në Ulqin. Aty kreu arsimin fillor e të mesëm, ndërsa studimet për gjuhë angleze i përfundoi në Universitetin e Prishtinës në Kosovë. Në New York përfundoi magjistraturën si mësuese për fëmijë me aftësi ndryshe. Më herët ne shoqaten “Kraja” zonja Gjenashaj ka kontribuar për dy vite si nënkryetare dhe koordinatore e shkollës shqipe dhe aktivitete patriotike. Edhe pse prej 2 vitesh kontributore aktive, Venera ka shkëlqyer në të gjitha aktivitetet komunitare duke qenë frymëzim për gratë dhe vajzat shqiptare. Aftësitë e saj të spikatura në drejtim, koordinim e menaxhim, energjia e saj e pasioni i flaktë patriotik e kanë kthyer shoqatën “Kraja” një institucion të fuqishëm shqiptarie në mërgatën shqiptare të Amerikës.
Në një prononcim për gazetën “Dielli” të Federatës “Vatra” në New York, ajo falënderon të gjithë krajanët për besimin dhe familjen e saj të shtrenjtë për mbështetjen. Mesazhi i saj patriotik është: “Të qëndrojmë të bashkuar për të ruajtur vlerat tona, kulturën tonë, gjuhen e pastër e të bukur shqipe, traditën, vlerat e identitetin tonë kombëtar shqiptar”. Në programin e saj 2 vjeçar zonja Venera Gjenashaj shprehet se do të ketë primare rritjen e prezencës shoqatës në komunitetin shqiptar në New York e më gjërë, promovimin e femrave shqiptare e rinisë shqiptare, forcimin e shoqatës “Kraja”, aktivitete kulturore, patriotike, turistike e komunitare në Krajë, kalendar veprimtarish patriotike e atdhetare në New York etj.
Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra” dhe gazeta “Dielli” i urojnë suksese zonjës së nderuar Venera Gjenashaj, i ofrojnë bashkëpunim të afërt dhe shprehin mirënjohje për mbështetjen ndaj Federatës Vatra në veprimtaritë e saj sidomos në kohën e Mirsad Kovaçit e Sami Kanaqit. Shoqata Atdhetare “Kraja” është e formuar që në vitin 1991 në New York, USA me synim mbajtjen gjallë të lidhjeve shpirtërore e tradicionale mes patriotëve krajanë që jetojnë në Amerikë dhe vendlindjes së tyre në Krajë. Në fokus të aktiviteteve dhe veprimtarisë së shoqatës është ruajtja e traditave kombëtare, ruajtja e identitetit kombëtar shqiptar, ruajtja e gjuhës, forcimin e lidhjeve shpirtërore të patriotëve krajanë në vendlindje dhe mergatë. Shoqata Atdhetare Kraja ka një model organizimi të shkëlqyer dhe për organizatat e tjera shqiptare që veprojnë në Amerikë. Shoqata Atdhetare Kraja është shumë pranë veprimtarive patriotike të diasporës shqiptare në Amerikë ku ka marrë pjesë gjithmonë masivisht në të gjitha aktivitetet patriotike si festa e Flamurit Kombëtar, Pavarësia e Kosovës, Parada Shqiptare dhe organizime të tjera atdhetare në New York, Uashington, New Jersey etj.