July 3, 2024

Shkrimtari shqiptar me nam botëror, Ismail Kadare, ka vdekur në orët e para të mëngjesit të sotëm, në moshën 88-vjeçare.

I lindur në Gjirokastër më 28 janar të vitit 1936, Kadare do të kalonte kufijtë e Shqipërisë së izoluar. Këtë do ta bënte në vitet ’70, kur veprat e tij të përkthyera nga Jusuf Vrioni do të bëheshin pjesë e letërsisë elitare në Francë e në botë.

Falë prozës së Kadaresë të përkthyera në më shumë se 40 gjuhë të botës, letërsia shqipe arriti majat.

Ai është shkrimtari shqiptar më i njohur në botë, është laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare.

Kadare u diplomua për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës dhe në vijim studioi në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” në Moskë.

Krahas çmimeve të tjera, më 2019 fitoi “Nobelin” amerikan, siç cilësohet çmimi ndërkombëtar i letërsisë “Neustadt”. Gjatë ndarjes së këtij çmimi Kadareja ishte vlerësuar si “një nga shkrimtarët më të mëdhenj në botë dhe një kampion i demokracisë dhe i fjalës së lirë”.

Disa herë qe konsideruar si favorit për “Nobel”.

Në biografinë e tij të publikuar në faqen e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës thuhet se fillimet letrare të Kadaresë janë kryesisht në poezi (“Frymëzime djaloshare”, 1954; “Ëndërrimet”, 1957; “Shekulli im”, 1961; “Përse mendohen këto male”, 1964; “Motive me diell”, 1968; “Koha”, 1976). Me emrin e tij lidhet ardhja në letërsi e “brezit të viteve 1960”, që solli një frymë emancipimi të përgjithshëm në kulturën kombëtare.

Vepra e parë e rëndësishme e Kadaresë është romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1963), që është një pikë kthese në prozën moderne shqiptare. Në prozën e tij, Kadare e vështron të shkuarën jo vetëm si histori qëndrese heroike, por si histori mbijetese të identitetit shqiptar. Pasojnë romanet: “Prilli i thyer”, “Kamarja e turpit”, “Pashallëqet e mëdha”, “Muzgu i perëndive të stepës”, “Vit i mbrapshtë”, “Shkaba”, “Spiritus”, “Hija”, “Pasardhësi”, ku vihen përballë vlerat e jetës dhe çmimi i vdekjes.

Romani “Kush e solli Doruntinën” (1979) u kujtoi bashkëvendësve ringjalljen, rilindjen, atë vlerë që gjendej në baladat e hershme të tyre dhe që mbante shenjën e humanizmit të Rilindjes Evropiane.
Ndërkaq, “Kronikë në gur” (1971) është romani i dytë i Kadaresë që trajton temën e luftës antifashiste, e parë me sytë e një fëmije tregohet si një lojë, ku palët shfaqen si në një teatër.

Ndërkaq, romani “Kështjella” është quajtur “roman historik”, por dhe “roman i heroit të papranishëm”. Autori arrin të ngrejë në këtë roman kultin e bashkësisë në vend të kultit të heroit të përveçëm. Romanet e Kadaresë me temë nga historia, të shkuarën e kanë kryesisht si një shkas për të sotmen. Nocioni i kështjellës është i pranishëm edhe te “Prilli i thyer” (kulla e ngujimit); te “Krushqit janë të ngrirë”, te “Ndërtimi i piramidës së Keopsit”, te “Piramida”. Në të kundërtën, nocioni i urës gjendet tek “Ura me tri harqe”, “Kush e solli Doruntinën”, “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut”, “Kushëriri i engjëjve”. Romani “Dimri i madh” (1977) është varianti i ripunuar i veprës “Dimri i vetmisë së madhe”, që u botua më 1973, në të cilin trajtohet tema e konfliktit me sovjetikët.

Romani tjetër “Koncert në fund të dimrit”(1987), trajton temën e konfliktit me kinezët.

Romani “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” (1979) përfaqëson veprën më problematike dhe më mospajtuese të Kadaresë me realizmin socialist Thelbi i romanit është alegoria politike antitotalitariste, duke marrë shkas prej mënyrës së funksionimit të ish-Perandorisë Osmane.

Tutje thuhet se letërsia e Kadaresë pas vitit 1990 bart të njëjtat tipare thelbësore të asaj të mëparshme: frymën etnografike dhe shpërfaqjen e identitetit shqiptar.