Kolumna

Vdes Tosha i Kumanovës! Dhe? Një analizë me dëshmi për ngjarjet e kohës

Shkruan: Mustaf Veseli

Dje më datë 29 pril 2021, përmes gazetës së përditshme vendase “Lajm”, u njoftuam si shoqëri se paska ndërruar jetë “Tosha”, “udhëheqës i politikave antishqiptare në Kumanovë në vitet et 80-ta dhe në fillim të viteve të 90-ta”. Gjithashtu, më poshtë në artikullin e të lartëcituarës, figura e tij kujtohet se “… Në vitet para shpërbërjes së Jugosllavisë, Çushkarovsi (Tosha) ishte në krye të fushatës për mbylljen e shkollave të mesme në gjuhën shqipe në Kumanovë dhe të diferencimit ideopolitik të arsimtarëve e profesorëve shqiptarë”.
Në këto pak rreshta por të ngjeshura mbi aktivitetin e nje figure shoqëroro-politike-jugosllave, kemi disa elementë përfaqësues kyç të këtij individi, e mbi të gjitha, elementin e politikave famëkeqe për zbrazjen e Kumanovës – uljen e përqindjes së shqiptarëve – si dhe ndalimit të evidencës pedagogjike në gjuhë shqipe për shkollat e mesme të kohës.
Përveç këtij artikulli esencial, më rastisi të shoh edhe një shkrim të gazetarit vendas, z. Fejzi Hajdari (dëshmitar okular i kohës) ku ndër të tjera, ai vë në pah më gjërësisht aktivitetin famëkeq të Toshës dhe me një zhgënjim tmerrues, gazetari i mirënjohur – fatkeqësisht për fatin tonë si shoqëri – vjen në përfundim se “ Kur e kuptoi aparati shtetëror shoven serbo-maqedonas se nuk mund t’i gjunjëzojë shqiptarët e Kumanovës me politikanë si Tosha e Branko Rulja, nxori në skënë politikanë shqiptarë, që pikë për pike zbatojnë politikat e tyre. Bile edhe shkojnë disa hapa më larg, duke u bë më “Toshë se Tosha”, në zbatimin e politikave të dëmshme antishqiptare”. Me fjalë tjera, në përcjelljen e gazetarit të lyhet përshtypja se politikat e lartëpërshkruara kanë një vazhdimësi nga ajo kohë e deri më sot që po shkruajmë këto rreshta dhe si rezultat i atyre politikave, ne si shoqëri, po paguajmë çmimin e lartë të humbjeve nga dekada në dekadë: ikje e trurit nga vendi; ikje e rinisë; dobësim në arsim e shëndetësi, si dhe shumë humbje tjera, gjithnjë në parime duke pasur parasysh imagjinarin e demokracisë – ku qytetarët realizojnë veten e tyre – dhe jo atë të “kleptokracisë ballkanike”, që po n’a percjell…
Pa dashur të zgjatem shumë në këtë shkrim, si “dëshmitarë i tërthortë” dhe trashëgimtarë i një prej të ish-denuarve (Profesor Feti Veseli), do doja të ndaja me lexuesin disa ngjarje:

1. Elemente biografike për Toshën dhe zbarkimi i tij me autoblinda në oborrin e shkollës Dituria, në Likovë
2. Mbledhja për fillim-ndalimin e evidencës pedagogjike në gjuhë shqipe
3. Post-fushata e egër kundër protagonistëve shiptarë (kuadrove arsimorë)
4. “Pendimi” i Toshës dhe lidhja sociale e tij me shqiptarët
5. Trashëgimia e keqe sllavo-maqedonase peng i realizimit të shtetit demokratik
6. Cili “modus vivendi” do i bashkojë qytetarët në Republikë

Në këto gjashtë pika, do mundohem të shtrojë argumente të kohës; ngjarje, përshtypje, analizë si dhe dëshmi nga i jati i ndjerë, koleg dhe qytetarë vendas.

1. Në memorien tonë kolektive si Kumanovarë, gjithënjë kur vjen fjala për periudhën e agonisë së shoqërisë politike moniste, nuk mbetet pa u lakuar edhe emri i Toshës si një prej akterëve më famëkeq kundër qytetarëve shqiptar; i “forti” që nuk pyeste fare; që hapte dyert e zyrave shtetërore me shqelma; i “forti” madje që sulmonte dhe fizikisht oponentë ideor, bilez duke eliminuar fizikisht qytetarë vendas, e pa dhënë kurrëherë llogari për to! Për tentuar ilustrimin e portretit të tij kur ky i fundit ndjehej i paprekshëm, po japim një detaj nga jeta e tij familjare. Ai ishte prind, i martuar me një Profesoreshë (kolege me të jatin) dhe kishin një vajzë. Pasi që vajza e tyre ishte në moshë madhore, ajo kishte filluar lidhje dashurie me një maqedonas dhe si një çift i ri – për arsye të panjohura dhe s’kanë rëndësi këtu – shoku i saj ndahej nga vajza e tyre. Për rrjedhojë, “i forti” në shenjë hakmarrje dhe detyrimi ultim, i vret shoqëruesit të vajzës babain – pa dhënë asnjëherë llogari deri dje që vdiq – dhe e obligon djalin të qëndrojë në çift me vajzën e tij. Pra, ky “ i forti”, nuk pyeste për qytetar maqedonas e lëre më për qytetar shqiptar.
Tosha në fund të shoqërisë politike moniste, kishte tashmë një emër të konfirmuar dhe të njohur në shoqëri, ai nuk pyeste dhe vazhdonte me përbuzje të njëpasnjëshme. Demonstrimi i forcës dhe i pushtetit sllavo-jugosllav ishte karakteri i tij primar me të cilin ai dëshironte të jetësonte çdo çmenduri që i vinte vërdallë kokës; ai me këtë bindje, zbarkoi asokohe edhe në fshatin Likovë për të mbajtur “mbledhjen e ndarjes” me intelektualët (arsimtarë dhe profesorë) dhe fshatarët e rrethit.
Gjendja përgjjithësisht më vetëm se ishte e tensionuar, shtuar kësaj klimën shoqëroro-politike lokale (Kumanovë e rrethinë); rajonale (vlimi në Kosovë) dhe më globale, kriza në tërë Jugosllavinë dhe fillim-shpërbërja e Bashkimit Sovjetik e me të, të njëpasnjëshme, Republikat Socialiste anembanë botës. Ky kontekst gjithëpërfshirës – pa mbivlerësuar fare fenomenin e mbledhjes – i jepte ndjenjë (sipas dëshmive në bashkëbisedime: i jati; mësuesit e shkollës Dituria; fshatarë dhe intelektual të rrethit) ngjarjeve në vend se do ecnin në shtigje të reja por të pasigurta, madje duke mos e ditur se ç’farë mund të ndodhte atë ditë e lëre më të nesërmen.
Kjo e ndjejë e pasigurisë, shpërfaqej edhe te “i forti”, duke ardhur me makineri të blinduara në “vetëbisedim” me qytetarët në Likovë e duke ushqyer ndjenjën te shqiptarët se po shkohej drejtë fatalitetit historik dhe se kjo makineri (Jugosllavi) nuk mund të ndalet; kësisoji – ndoshta – edhe duke forcuar idenë e inferioritetit përball qytetarëve serbo-maqedonas në Jugosllavi.
Pasi Tosha kishte arritur me makineritë e blinduara dhe disa policë që kishin marr oborrin e shkollës në rrethim, ai futej në sallën e madhe në katin përdhesë të shkollës Dituria, ku zakonisht vijonim mësimet me dy ndërrime: klasa e tetë dhe klasa e parë (vetë aty kam mësuar). Ajo sallë, objekt i rrënuar – tani oborr i shollës aktuale, ishte ndër më të mëdhajat dhe aty mbaheshin zakonisht mbledhjet prindore. Xhamat e klasës (të gjelbërt) ishin të pajisur me qepana hekuri. Aty, do të mbahet mbledhja e ndarjes përfundimtare (gjykimi i imi) mes disa intelektualëve dhe qytetarëve me figurat shoqëroro-politike jugosllave të kohës.

Shënim: në fotografinë e artikullit dhe në mungesë të fotografive të kohës, piktori nga Likova M. Idrizi (duke vijuar edhe ai më pas mësimet në atë klasë) , pas kërkesës së shtruar nga familja jonë, ka dhënë një tablo alternative për jetësimin e ngjarjes duke u munduar të portretizojë në pafundësi intelektualët e fshatit dhe rrethit; ai gjithashtu është munduar të përfaqësojë edhe qytetarët vëzhgues të kacavirur në qepana. Vini re, për arsye modelimi në pikturë, protagonisti (Feti Veseli) është prezentuar në bankë të dytë në rendin e mesit e që realisht, gjatë mbledhjes së ndarjes, ai ishte në bankën e fundit në rendin e majtë të klasës. Antagonisti (Tosha) është paraqitur në vendin e tij real, pra në bankën e parë dhe në rendin e mesit të klasës.

2. Mbledhja ishte paracaktuar për në orët e para të mbrëmjes, salla ishte e stërmbushur dhe qytetarë ishin kacavirur në qepanat e gjelbërt prej hekuri për të vëzhguar më së miri mbledhjen. Gjithnjë sipas dëshmive të nënvizuara (ekziston diku PV i mbajtur nga ish- sekretari i shkollës) Tosha kishte filluar me kritika të ashpra ndaj qytetarëve shqiptarë; ndaj nënave dhe grave shqiptare që sipas tij ishin “makineri prodhuese për mbarështim dhe asnjë dobi tjetër shoqërore”; shtuar kësaj fyerje dhe kritikat për formën e jetesës së shqiptarëve; kritika mbi muret e shtëpive shqiptarë dhe imponimin e prishjeve të tyre; dhe e fundit për t’i vënë kapakun, ai kishte theksuarën edhe më të dhimbshmen, ndalimin e evidencës pedagogjike në gjuhë shqipe në shkollat e mesme!
Gjatë mbledhjes, ishin ngritur disa mësues për kundërshtim, dhe sipas dëshmitarëve okularë (mësuesve nga Likova) ai ua kishte kthyer me të keq, madje edhe duke u munduar t’i frikësojë dhe tremb ato me forcën e tij fizike. Më e keqja në këtë mbledhje dhe pika e ujit mbi vazë kishte arritur kur një mësues qenka ngritur dhe i kishte dhënë të drejtë Toshës mbi gjitha pohimet dhe qendrimet e tija.
Pas kësaj, i ndjeri i jati, merr fjalën si intervenues i fundit në orët e vonta të natës, duke i’a kthyer të gjitha në fytyrë dhe duke e bërë atë të heq e vesh disa herë palltën e tij e në fund ky antagonistë të deklaroj: “Në qoftë se këto që pohon ti, Jugosllavia do bjerë; por ama, në qoftë se këto që pohove nuk janë të vërteta, unë personalisht do të grijë”!
Me një përfundim të tillë, të tensionuar, përfundon mbledhja dhe Toshës nuk i kishte ecur plani i parapregatitur e kësisoji, kjo ngjarje dhe kjo përballje, i hap rrugët e hakmarrjes ndaj intelektualëve shqiptarë të rrethit (shih artikullin e gazetarit F. Hajdari).

3. Fill pas kësaj mbledhje, fillon edhe një fushatë e egër ndaj prindit të ndjerë dhe arsimtarëve e profesorëve të tjerë të rrethit; me shtypje nga më të ndryshmet; me ngritje të procedurave gjyqësore; me klimë të rënduar në punën e përditshme e që më në fund, përfundon me gjykim (denim) dhe humbje të vendit të punës.
Pas këtij fundi tragjik profesional për të jatin dhe kuadrot arsimorë të kohës, regjimi i atëhershëm qëllimisht ua kishte lënë pasaportat (sipas interpretimit të prindit) në pronësi e që këto të fundit të largoheshin si të denuar e persekutuar politik e të kërkonin azil politik në vendet e Europës qendrore dhe ato të Skandinavisë.
Fatkeqësisht, për disa prej tyre dhe kështu ndodhi, ato u larguan nga vendi dhe u strehuan aty-këtu në hapësirën e kontinentit të vjetër dhe disa të tjerë u burgosën.
I jati, – pasi që ia kishte kërkuar edhe prindi i tij duke i thënë që “si të ekzilohesh, nuk t’a bëj hallall” – kishte vendosur të qëndronte në vendlindje dhe duke punuar tokën familjare; ai kalon nga profesioni i profesorit në gjuhë shqipe, në një bujk të kohës, punë që do kryente me shumë zell. Shpeshherë, kur vinte fjala në këtë ngjarje, ai me shumë kënaqësi e rrëfente këtë periudhë një vjeçare prej bujku ngase sipas tij, ishte një prej mënyrave më të mira për t’i rezistuar sistemit të kohës, pra, duke mos qenë i varur financiarisht prej tij e duke mbijetuar me forcat vetjake dhe familjare.
Për rrjedhojë tragjike, arsimi shqip në trevat e Kumanovës dhe rrethit, pësoi një humbje të madhe me largimin e arsimtarëve dhe provesorëve; dhe këto goditje rendën edhe pas kësaj ngjarje, mjafton të kujtojmë themelimin e Universitetit të Tetovës dhe represionet e ndryshme që i bëheshin nxënësve shiqiptarë në shkollat e mesme deri para luftës së vitit 2001.
Siç dihet, edhe i jati, pas një viti rezistence në heshtje por që fliste shumë për regjimin, duke pasur parasysh argumentet e tija personale, vendosi të merr rrugën e Zvicrës (punëtorë sezonal) e të filloj një jetë të tjetërsuar, larg familjes, gruas dhe fëmijëve dhe të nis një profesion të ri – kamarier, në një restorant turistik në kufirin francezo-helvetik.

4. Para një viti, një doktor i mirënjohur shqiptar nga Kumanova më tregoi në telefon se si një ditë në kabinetin e tij kishte ardhur për konsultime mjekësore Tosha dhe se pas konsultimit, ato kishin pasur një bisedë mbi vitet e fundit para pavarësimit të vendit nga Jugosllavia. Doktori rrëfen se gjatë bisedës, pasi Tosha i kishte thurrur lëvdatat doktorit për konsultimin dhe profesionalizmin e shqiptarëve, ai ndër të tjera kishte filluar të qaj e t’i pohoj se “kemi bërë shumë gabime në të kaluarën; nuk duhej të ndodhte ashtu!” dhe sipas përkshrimit nga doktori, ai ishte në një gjendje “pendimi”!
Megjithëkëtë, deri dje që ndërroi jetë, ai asnjëherë nuk ka bërë një “mea-culpa” publike qytetarëve shqiptarë dhe ish të denuarve nga dora e tij.

Një tjetër ngjarje me Toshën ishte edhe takimi im para disa viteve në dhomën e pritjes së pacientëve, sërisht te një dentist i mirënjohur kumanovar. Kur u futem atëkohë me mikun tim në dhomën e pritjes, miku m’informoi në heshtje se zotëriu në fjalë ishte Tosha dhe përderisa ato bisedonin në maqedonisht (fatkeqësisht nuk zotëroj gjuhën maqedone) e vështroja atë njeri që hera-herës gjatë bisedës, qeshte, tregohej xhentelmen në sjellje e që të jepte përshtypjen se sa njeri dhe qytetar i ndershëm mund të jetë ai. Në fund, të artikullit, në përmbledhje do kthehem edhe në këtë pikë.

5. Duke pasur parasysh pohimet e të djathtës (por edhe të majtës) maqedonase në prag edhe pas pavarësimit të vendit nga Jugosllavia; urrejtjen dhe stigmatizimin kundrejt shqiptarëve; thirrjet e vazhdueshme “Maqedonia vetëm e Maqedonasve”, diskriminimin politik dhe arsimorë kundrejt shqiptarëve, gatuhej në vetëdijen e gjeneratave të reja maqedonase se “rrezik kryesor në shtet kemi shqiptarët dhe se Republika është vetëm e Maqeonasve!”.
Për fat tragjik kolektiv qytetarë, këto ide zunë vend në shume mendje rinore dhe politikbërëse maqedonase dhe si rezultat i kësaj, shqiptarët ishin përballja kryesore e tyre dhe se çdo problem në Republikë, burimin e kishte te shqiptarët.
Tragjikisht, edhe pse nuk thuhet haptazi si më parë, kur vëzhgojmë kushtetutën e Republikës; historinë tonë republikane nga pavarësimi e deri më sot; ngjarjet e dhunshme të njëpasnjëshme; luftën e armatosur; pasluftën; politikbërja “à la communiste yogoslave”; rastet e montuara; krizat e thella demokratike; padrejtësitë dhe loja me përqindjet; mos regjistrimi dhe shume politika tjera publike, të bën të mendosh se nuk kemi dal nga mendësia jugosllave e të bërit në politikë dhe veç kësaj, ajo ështe binjakëzuar dhe me klelptokraci.
Kjo trashëgimi e keqe sllavo-maqedonase në kohë, gërshetuar me politikbërjen shqiptare (politikë ndarje kulaçi – partitë në pozitë) bëjnë që tredhjetë e një vite pas pavarësimit nga Jugosllavia të merremi ende me gjëra esenciale të pazgjidhura; të merremi me urrejten ndëretkinke; të merremi me përqindjen; të merremi me tekste shkollore fyese; të merremi me enciklopedi të falsifikuara në fakte dhe shkrime skandaloze; të merremi me aksione policore; të merremi me ndarjet “ne dhe ata”, kësisoji duke larguar shpresën e duke ushqyer të kundërtën – pesimizmin në shoqëri.

6. Duke pasur parasysh trashëgiminë e hidhur si kolektivitet politik, neve në vend, n’a duhet një Reformë RRënjësore: duke nisur me kushtetutën e vendit dhe me politika publike të diskriminit pozitiv, në mënyrë për të ulur dallimet mes dy etnive dhe minoriteteve tjera. Pa u ndalur vetem te jurdicizmi politik, kjo Reformë Rrënjësore duhet të përçohet në gjitha sferat e jetës socio-kulturore në vend. Duhet fushata të shumta dhe përkrahje pa rezervë nga Republika duke mundësuar kësisoji mundësinë për një projektim të përbashkët politiko-shoqërorë; duke ngritur një “Ne” të përbashkët qytetare; ku mund të realizojnë veten e tyre qytetarët e Republikës dhe qytetarët e ardhshëm europian; duke mundësuar zhvillimin në vend për rininë dhe menjanuar ikjen rrugëve të Europës; duke shtuar besimin te qytetarët dhe etnitë e tjera; duke bërë një ndarje të qartë mes së kaluarës e të tashmes, si dhe projektimit për të ardhmen.
Të gjitha këto të renditura kalimthi sipër, në lexim mund të tingëllojnë si utopike por që në realitet është rruga e vetme për të paqësuar kolektiven dhe për të siguruar integrimin në Bashkimin Europian. Po të ishin shkruar reformat e ndryshme në fundvitet tetëdhjetë edhe pse gjysmake në vend, jo që ato do ishin lexuar si utopike por edhe si armiqësore dhe “kundër natyrore”, dhe besoj që autori do ishte shpallur “armik i popullit”.
Si shoqëri multikulturore dhe si një entitet politik i përbashkët, ne jemi të “denuar për të bashkjetuar”; hëpërhë, është e vetmja mundësi që pranohet në instancat ndërkombëtarë dhe nga SHBA-të. Na duhet realizëm në politikë dhe shpresë për të bartur dhe gatuar idenë e një “modus vivendi” për të ngjallur idenë e zhvillimit të “Ne”-së së përbashkët dhe mundësuar një jetë më të dinjitetshme për qytetarët.

Përmbledhje

Përmes këtij artikulli, fillimisht u munduam të sjellim disa pika të shkurtëra biografike për Toshën në mënyrë që gjeneratat e reja të kenë një përfytyrim të aktivitetit të tij antishqiptar të atyre viteve të kobshme shoqërore; më pas duke ardhur në shpalosjen e asaj mbledhje në shkollën fillore Dituria Likovë, ku për një pjesë të kuadrove arsimorë shqiptar, përfundimisht jeta e tyre profesionale dhe shoqërore u mori kthesë dhe pësuan një ndryshim rrënjësorë; post-fushata e kësaj mbledhje që kishte një dhunë ekstreme psikologjike ndaj protagonistëve të kohës (dëshmitë e tyre duhet të zënë në një publikim të veçant); “pendimi” privat i Toshës për fushatat dhe politikat publike të atëhershme; pengimi i zhvillimit të shtetit demokratik si pasojë e trashëgimisë së keqe politike nga Jugosllavia dhe pas dhe shpresa që të gatuhet dhe të ushqehet ideja e Republikës së përbashkët, Republika që bashkon dhe barazon dhe jo Republika që shtyp, faros dhe shpërndan padrejtësi.
Ora e mësimit që duhet të ndalim për vete me këtë shkas (vdekja e Toshës) si qytetarë të Republikës, është se edhe “të fortit” qenkën të thyeshëm; edhe ato do plaken dhe një ditë do ndërrojnë jetë; ndërkohë, ajo që mbetet është vepra e tyre publike (dhe jo vetëm) e cila ka ndikuar në jetët e qytetarëve; krimet kundër qytetarëve; mësimet dhe antivlerat famëkeqe që mbollën te gjeneratat e reja që sot janë produkt i asaj klime; padrejtësitë e trashëguara dhe tashmë të betonizuara si qenësore dhe të pandryshueshme (shih preambulën e Republikës dhe nenet tjera diskriminuese); dhe imagjinarin e fshehur kolektiv maqedonas se shteti është vetëm i maqedonsave.
Fjalët e bukura të politikanëve shqiptar dhe maqedonas para fushatave zgjedhore, lotët dhe “pendesat” si çifti i Toshës, nuk duhet neve si qytetarë të n’a largojnë nga kritikat konstruktive dhe kërkesave legjitime për realizim dhe afirmim si qytetarë të ardhshëm europian.
Nga idetë do vijnë edhe shtresat për realizim, me shpresë që rrugëtimi jonë të përfundojë bashkërisht në stacionin final – Bashkim Europian. Ndoshta kur lexohet duket si një përsëritje e diskursit oficial politik, por, dallimi mes neve (qytetarëve) që do e dëshirojmë dhe shpresojmë dhe atyre që e flasin dhe nuk e besojnë (disa politikanëve) – është se ndryshimi në fund fare, bëhet prap nga vullneti i përgjithshëm qytetar.

Mustaf Veseli
29 prill 2021, Zvicër