Vazhdon fushata zgjedhore presidenciale, pas premtimeve përplasje mes kandidatëve
Fushata për zgjedhjet presidenciale po hyn në javën e dytë dhe kësisoj po zgjerohen aktivitetet e kandidatëve dhe premtimet e tyre zgjedhore në takime me qytetarët, por edhe përplasjet mes kundërkandidatëve. Edhe sot ata vazhdojnë me aktivitetet zgjedhore në vende të ndryshme.
Gjatë ditës kandidati për president i LSDM-së dhe koalicionit, Stevo Pendarovski do të vizitojë komunat e Dojranit, Bogdancit, Vallandovës, ku në takime me qytetarë do ta prezantojë platformën e tij, derisa tubimi qendror do të mbahet sonte në Gjevgjeli.
Kandidatja për presidente nga radhët e VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit, Gordana Siljanovska Davkova do ta prezantojë platformën e saj para qytetarëve të Dollnenit, Makedonski Brodit dhe Kërçovës.
Kandidati i ZNAM Dimitrievski, i cili fushatën e zhvillon me moton “Maksimumi për Maqedoninë” para qytetarëve të Shtipit mbrëmë tha se do të bëjë fushatë pozitive dhe do të punojnë për bashkimin e popullit maqedonas.
Nga ana tjetër, kandidatja për kryetare nga partia E Majta, Vankovska në takime me qytetarë në lagjen Karposh të Shkupit prezantoi disa pjesë të programit të saj. Ajo tha se “nëse duam dinjitet, në këto zgjedhje nuk kemi të drejtë të gabojmë”. Duhet të dalim dhe të votojmë që të pyetet populli”.
“Është e nevojshme të miratohet Kushtetutë e re në vend se kush do të hyjë në preambulë. Ajo Kushtetutë do të jetë moderne, si që do ta miratojmë për vete si bashkësi politike që nuk do të ndahet me kuota etnike, me oligarki dhe etnotribalizëm, por Kushtetutë sociale e bazuar në parimet e drejtësisë së klasës sociale dhe mundësive të barabarta”, tha Vankovska.
Pendarovski i cili po lufton për mandat të dytë presidencial, dje u tha qytetarëve të Kavadarit se kabineti presidencial nuk duhet të izolohet vetëm për elitën. Ai iu referua rezultateve të arritura në periudhën e kaluar dhe prioriteteve për të ardhmen.
“Saktë 80 mijë kilometra kam kaluar në pesë vitet e fundit me kolegët e mi. Nuk ka asnjë komunë, asnjë vendbanim ku nuk kam qenë. Dhe në zyrën time, të hapur për të gjithë, kanë hyrë 4.500 veta. Kabineti nuk duhet të izolohet vetëm për elitën”, tha ai.
Në pyetjen e qytetarëve, për spekulimet e opozitës në rrjetet sociale se do ta bojkotojë raundin e dytë, Pendarovski tha se spekulime të tilla kanë arrit pasi Mickoski dhe VMRO-DPMNE kanë parë se sa qytetarë kanë qenë të pranishëm në aktivitetet e organizuara nga LSDM-ja në kuadër të fushatës.
Kandidatja për kryetare nga VMRO DPMNE dhe koalicioni, Gordana Siljanovska Davkova, në tubimin në Strumicë tha se profesionalizmi dhe kompetenca mund ta nxjerrin vendin, siç tha ajo, nga kaosi, anarkia dhe depresioni në të cilin ndodhemi.
Siljanovska Davkova tha se ata nuk janë kundër BE-së dhe janë për standarde evropiane.
“Prandaj kur vlerësoni kush është për BE e kush kundër, mos u besoni fjalëve boshe. Kërkohen vepra. Arsim i mirë, shëndet i mirë, mbrojtje e mirë sociale, politikë e mirë kulturore”, theksoi Siljanovska Davkova.