Lajmet e reja

Vazhdon abuzimi me çmimet, kryesisht në produktet ushqimore

Abuzimi me çmime nuk ka të ndalur, kryesisht në produktet ushqimore dhe pijet. Një ditë pas publikimit të hulumtimit të Lidhjes së Sindikatave, që marzhat e fitimit të tregtarëve janë detektuar mes 35-50%, diferencë kjo mjaft e madhe nga tregu me shumicë deri në shitjen te konsumatori final, ka reaguar edhe Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore. Durim Zeriqi nga kjo odë ju bën thirrje kompanive që mos të shfrytëzojnë hendekun e mos zbatimit të Ligjit për praktika jo fer tregtare që fillon në shtator.

“Vlerësojmë që këtu kemi të bëjmë me një kapacitet të ulët të institucioneve për të kryer detyre e tyre në terren, jemi të vetëdijshëm që kemi një normë të lartë të ekonomisë joformale, por edhe një normë tjetër që ka të bëj me konkurrencën jo lojale dhe këtu është pjesa ku duhet të ndërhyjë shteti meqë ato kompani në mënyrë jo të ndershme konkurrojnë në treg dhe krijojnë këto disbalance”, deklaroi Durim Zeqiri,- drejtor ekzekutiv në OEMVP.

OJQ-të thonë se ka raste kur kompani të caktuara financat që nuk mund t’i mbulojnë me fatura tjera, i deklarojnë si donacione për të shmangur edhe tatimin. Madje ka denoncime që edhe kur bëjnë bamirësi, te një organizate jofitimprurëse i japin dyfishin e parave të kërkuara, me qëllim që gjysmën pas tërheqjes ti kthejnë mbrapsht si larje parash. Për këtë çështje foli edhe Nikica Kusinikova nga Shoqata “Konekt” duke i cilësuar si raste të izoluara, të cilat e rrënojnë humanizmin dhe besueshmërinë ndaj atyre që donojnë dhe atyre që janë në nevojë.

“Gjithsesi sikurse në cilindo ligj, për tatimet e dimë që mund të ndodhin edhe keqpërdorime, prandaj i kemi shërbimet inspektoriale, të cilat duhet të kontrollojnë dhe të reagojnë nëse vërtetë ndodhin raste të tilla për ta mbrojtur filantropinë. Mos të na ndodh për një rast të keq, të stigmatizohen të gjitha kompanitë dhe organizatat që kërkojnë donacione”, tha Nikica Kusinikova, Drejtoresh në Shoqatën “Konekt”.

Nga këto organizata thonë se keqpërdorimet e disa kompanive private ndodhin prej mosfunksionimit të autoriteteve inspektuese dhe ndëshkuese konform ligjit për mbrojtje të konkurrencës dhe konsumatorit. /Alsat.mk