Maqedoni

Vazhdojnë qëndrimet e ndara për zgjedhje

Pavarësisht thirrjes së opozitës, kryeministri Dimitar Kovaçevski është i vendosur që zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të jenë brenda afatit të rregullt. Datën, thotë ai, do ta vendosin partitë me marrëveshje mes tyre, në periudhën e ardhshme.

“Mendoj se kryetari i VMRO-DPMNE-së bën shkëmbim tezash sepse ai fliste për zgjedhje të parakohshme kurse unë flisja për zgjedhje të rregullta. Në fund, do të kemi zgjedhje të rregullta. Sa i takon datës, ajo duhet të caktohet mes të gjitha partive politike që janë të përfaqësuara në Kuvend, siç ka qenë gjithmonë deri më tani. Ai proces do të jetë i hapur në javët dhe e muajt e ardhshëm dhe kur të kemi një zgjidhje të përbashkët, atëherë mund të fillojë organizimi i zgjedhjeve”, theksoi Dimitar Kovaçevski.

Kreu i opozitës Hristijan Mickoski i bëri thirrje kryeministrit Dimitar Kovaçevski të vendosë një datë për zgjedhjet e ardhshme mes dy festave fetare në pranverë, Fitër Bajramit dhe Pashkëve.

VMRO-DPMNE-ja thotë se qeveria mund t’i shtyjë zgjedhjet për disa javë ose muaj, pas afatit që kërkon opozita, por ata do të ndodhin herët ose vonë. Këtë qëndrim e përsëriti edhe Vllatko Gjorçev, në intervistë për Alsat.

“Kjo është “fito një ditë më shumë dhe kaloje”, tender pas tenderi, bëjnë koalicione dhe kombinime. Në përgjithësi edhe në politikë, edhe në jetë, edhe në ekonomi ka një pikë nga e cila s’ka kthim. Për qytetarët, kjo qeveri ka rritur pikën e pakthim. Ata mund të blejnë kohë dhe t’i shtynë zgjedhjet një ose dy muaj. S’ka rëndësi. Zgjedhje do të ketë sepse zgjedhjet janë kategori kushtetuese. Një muaj më shumë ose më pak do të kalojë kurse ata do të humbin”, tha Vllatko Gjorçev, VMRO-DPMNE.

Zgjedhjet e fundit presidenciale kanë qenë në muajt prill-maj 2019 kurse zgjedhjet e fundit parlamentare kanë qenë në korrik 2020.

Opozita është për zgjedhje të dyfishta në pranverë të vitit të ardhshëm, kurse pushteti për procese të ndara, varësisht përfundimit të mandatit nga zgjedhjet paraprake.