Rajon - Botë

Vazhdojnë luftimet në Gazë, palestinezët raportojnë për dhjetëra viktima

12 të vrarë dhe 40 të plagosur nga sulmet e fundit ajrore të Izraelit në një zonë të banuar në qytetin Han Junis. Sulmet ajrore herët të enjten vazhduan në të gjithë territorin, duke përfshirë zonat në jug që Izraeli i kishte shpallur si “zona të sigurta”.

Ky qytet ndodhet brenda zonës që Izraeli e ka cilësuar si të sigurt dhe ka inkurajuar banorët nga veriu i Gazës që të evakuohen.

“Ne ishim në gjumë dhe befas rreth orës 7:30 të mëngjesit, dëgjuam një goditje. Të gjitha shtëpitë përreth u shkatërruan, dhe njerëzit po nxirrnin trupat. Ne nxorëm 2,3,4,5,6 dhe më pas 4 të tjerë, në total rreth 11 martirë”, tha një Banor i Gazës.

Salam Marouf, kreu i zyrës për media i autoriteteve palestineze në Gazë tha se Izraeli vazhdimisht po bombardon Gazën dhe furrat e bukës, përderisa palestinezët presin në radhë për bukë, duke shkaktuar numër të lartë të viktimave. Grupet e ndihmës, përfshirë Programin Botëror të Ushqimit, kanë paralajmëruar se Gazës po i pakësohen furnizimet me ushqim dhe dyqanet kanë furnizime edhe për disa ditë.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak nisi vizitën e tij dyditore në Izrael. Ai tha se sulmet e 7 tetorit të grupit militant palestinez, Hamas, ishin “akte të tmerrshme të terrorizmit”. Sunak dhe presidenti izraelit Isaac Herzog kanë rënë dakord për rëndësinë e dërgimit të ndihmave humanitare për palestinezët në Gaza.

“Kemi parë skenat e ditës së kaluar që na kanë tronditur të gjithëve, veçanërisht në spital. Dhe ne vajtojmë humbjen e çdo jete të pafajshme, civilëve të çdo besimi, çdo kombësie që janë vrarë. Dhe ne gjithashtu e pranojmë se populli palestinez është gjithashtu viktima e Hamasit. Dhe kjo është arsyeja pse unë mirëpres vendimin tuaj që morët për të siguruar që rrugët për në Gaza do të hapen për hyrjen e ndihmave humanitare. Më vjen mirë që morët atë vendim”, deklaroi – Rishi Sunak, Kryeministër i Britanisë.

“Hamasi janë nazistët e rinj. Ata janë ISIS-i i ri. Dhe ne duhet t’i luftojmë ata së bashku ashtu si bota, bota e qytetëruar, e bashkuar për të luftuar nazistët dhe e bashkuar për të luftuar Hamasin, duhet të qëndrojë së bashku tani me Izraelin”, u shpreh Benjamin Netanjahu, Kryeministër i Izraelit.

Mbretëria e Bashkuar po kërkon që të hapet pika kufitare në Rafah, që lidh Rripin e Gazës me Egjipin, për të lejuar që ndihma humanitare të shkojë në këtë territor. Pas vizitës së presidentit amerikan, Bajden, Izraeli tha se është pajtuar që të lejojë dërgimin e ndihmës së kufizuar humanitare në Gazë, ndërkaq Biden tha se Egjipti është pajtuar që të hapë pikën kufitare për kalimin e deri 20 kamionëve me ndihma. Ndërkohë rreth 300 hebrenj janë arrestuar nga policia pasi protestuan në Capitol Hill, duke kërkuar armëpushim në luftën Izrael – Palestinë. Raportohet se 400 persona u mblodhën brenda ndërtesës. Mediat në ShBA theksojnë se protesta u organizua nga dy grupe hebrenje anti-sioniste. Poashtu edhe qindra pjesëmarrës të tjerë jashtë ndërtesës brohoritën “Armëpushimi tani”.

NGA INTERNETI