Valdet Zekaj rrëfen detaje nga ngjaret e “Lagjes së Trimave” në Kumanovë
Mëngjesin e 9 majit nisën luftimet në Kumanovë. Dhjetë ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), pjesëtarë të Grupit të Kumanovës, u vranë gjatë përleshjes që zgjati dy ditë.
I dënuari me 100 vite burgim për pjesëmarrje në luftimet në Kumanovë, Valdet Zekaj për herë të parë në një rrëfim të gjatë personal, tregon në detaje për dy ditët e luftimeve, por edhe për mbërritjen në Maqedoni, se si kanë kaluar kufirin, ku ishin strehuar dhe njerëzit që kishin takuar.
Ai, në një intervistë për Paparacin, tregon se si i kishte dalluar afrimin e forcave maqedonase të Policisë në lagjen ku ishin vendosur pjesëtarët e Grupit të Kumanovës.
Zekaj thotë se mëngjesin e 9 majit ka pasur një komunikim telefonik të zhvilluar mes Mirsad Ndrecajt dhe Ali Ahmetit, kryetarit të BDI-së.
“Unë Ali Ahmetin, as nuk e kam njohur kurrë, as nuk e kam parë. Atë ditë komandë nuk kemi pasur asnjëri, veç kemi vepruar si vëllezër, si patriota dhe të lidhur me njëri-tjetrin. Kjo situatë e luftimeve ka zgjatur deri në mbrëmje, deri në kohën e dorëzimit”, rrëfen ai në intervistën për gazetarin Vehbi Kajtazi.
“Ali Ahmeti, telefonatën e parë e ka marrë prej Mirsad Ndrecës në 8 e 30 në mëngjes, qysh e kemi dëgjuar ne në gjyq. Mirsadi ka thënë ‘qelna rrugë të shkojmë në Kosovë’, por ai ka thënë ‘nuk mundem sepse nuk ju zihet besë shk**, dorëzohuni se merrni pak burg’”.
Zekaj tregon edhe momente gjatë luftimeve kur përpiqej të kuptonte nëse ka shqiptarë të veshur me uniformat e policisë dhe ushtrisë maqedonase.
“Deri në 12 ora kemi luftuar, deri atëherë NATO kemi qenë për ta. Gjithçka kemi qenë. Besom i shtishin ushtarët me zorë ata policët, i shihnin tu u dridh ata. Edhe kam komuniku me ta, sepse disa herë ne e rrezikonim jetët me dalë me i pa nëse janë shqiptarë ata. I bërtitnim ‘oj shqipe’ që të dallonim nëse janë shqiptarë sepse nuk donim të luftonim me ta”, rrëfen ai.
“Luftimet kanë qenë dinamike, non-stop është gjuajtur aty. Qysh kemi dëgjuar, të vrarët e parë kanë qenë polic, ndërsa te ne i pari ka qenë Fatlumi [Viseshesella], e pastaj Xhafa pas Fatlumit. Këta kanë qenë me neve. Këta kanë qenë dëshmorët tanë të parë. Nuk ka pasur njeri me zemër më të madhe se Fatlumi, nuk kam njohur një tjetër si ai”.
Ish-ushtari i UÇK-së nga Peja, i emocionuar shpjegon se planifikonte të vriste veten në mënyrë që t’i shmangej dorëzimit te autoritetet maqedonase.
Por, ai kujton dashurinë e madhe për vajzat e tij si arsye që e shtyn të mos bëjë vetëvrasje. Tregon
“Kur deshtëm me u dorëzu, se unë nuk e dija se çka po bëhet por isha kategorikisht kundër me u dorëzu sepse e dija që do të pasonin torturat. Vallai, unë gati kam qenë tu e mbyt edhe veten, por e kam një, një vajzë, Bardhën.. dhe ja ku jam”, tha Zekaj.
“Kur kanë dal jashtë këta me u dorëzu, kur i kam parë tu i rrah, unë i thash Fadilit edhe ma zi kanë me na bërë neve. Unë u dorëzova pas dhjetë minutash. Erdhi një polic shqiptar i pari, mi ka vendosur prangat dhe më ka sharë shqip”, tregon ai. “E kam pasur një fotografi të Nënës Terezë, ai ma hoqi dhe më tha ‘këtu është Rusi’”, u shpreh ai.
Vetëm pesë veta në uniformë morën pjesë në sulmin e stacionit policor në Gushincë të Maqedonisë së Veriut më 21 prill të vitit 2015, rreth tri java para luftimeve në Kumanovë, ka thënë Valdet Zekaj, i dënuari i Grupit të Kumanovës.
Zekaj, në një intervistë për Paparacin, ka deklaruar se në Gushincë ishte ai bashkë me katër ish-ushtarë të tjerë të UÇK-së, përfshirë Beg Rizajn dhe Mirsad Ndrecajn.
Zekaj tregon sesi aksioni planifikuar në bashkëpunim me policë shqiptarë të Maqedonisë së Veriut.
“U bëmë gati të shkojmë në Gushincë. Ishim pesë veta dhe me ne ishte edhe një polic, i cili na përcolli deri në stacion. Para se me shku te Gushinca, shkuam maleve për rreth tri orë në këmbë. Ne aty as nuk kemi bërë terrorizëm, as nuk kemi plaçkit e as maltretu askënd, ne kemi bashkëpunuar me ta. Ata bashkëpunëtorë janë ende gjallë, ende punojnë dhe marrin rrogë nga shteti i Maqedonisë”, rrëfen Zekaj.
I dënuari me burgim të përjetshëm për vepra penale të terrorizmit nga Gjykata Penale në Maqedoni, rrëfen edhe se si ishte zhvilluar ngjarja e sulmit në stacionin policor në Gushincë.
Ai shpjegon sesi kishte urdhër të domosdoshëm për të marrë një kamerë termike në stacionin policor në Gushincë. Kjo kamerë, të cilën ai e quan “Kali i Trojës”, rezultoi të ketë qenë pjesa kryesore e kurthit në të cilën ishin përfshirë Grupi i Kumanovës.
“Aty i morën disa kallasha, disa snajperë që ishin aty dhe qato revolet… edhe ka qenë një kamerë termike, e cila ka qenë me marrë domosdo. Po ajo kamerë ka qenë kali i trojës. Ajo na ka përcjell rrugës dhe na përgjuar krejt me kamerë dhe zë. Neve nuk na shkoj mendja sepse kemi pasur besim të plotë te plani. I kemi marrë edhe disa fshatarë të Brezës, të cilët na kanë ndihmu sepse nuk donim me dal nga Kosova dhe i kemi lënë aty në Brezë armatimin”, rrëfen ai.
Zekaj tregon se pas një nate, bashkë me pjesëtarët e tjerë të grupit, u kthyen në Kosovë.
“Gushinca u kanë kali i Trojës dhe për t’i joshur të tjerët. Gushinca është më i madh se kali i Trojës. U ktheva në Pejë, por s’dilja jashtë me u shëtit se thosha po më sheh dikush. Para se me shku për Gushincë, në Pejë vullnetarë kam pasur përmbi 200-300, kurrë në jetë s’kam parë ashtu, djem e vajza të reja. Por pastaj në Gushincë ia ndjeva pak erën, thash ‘s’po vjen era e mirë’ dhe vendosa të mos e marrë askënd tjetër”, thotë ai./ Paparaci