UT shkarkon Artan Grubin nga pozita e profesorit! VLEN përshëndet vendimin!
Universiteti i Tetovës ka larguar nga puna Artan Grubin. Lajmin e bëri të ditur Dekani i Fakultetit Juridik, Safet Emurlli, i cili për MIA- njoftoi se përfunduar procedura për shkarkim dhe e njejta është dërguar me postë dhe në mënyrë elektronike në e-mailin zyrtar,
LIGJI PËR MARRËDHËNIE TË PUNËS
“Në përputhje me nenin 82 të Ligjit për Marrëdhëniet e Punës, thuhet se punëdhënësi mund t’ia anulojë kontratën e punës punëmarrësit pa paralajmërim në rast të shkeljes së rendit dhe disiplinës së punës ose mospërmbushjes së detyrimeve të punës të përcaktuara me këtë ose ligj tjetër, kontrata kolektive, rregullat për rendin dhe disiplinën e punës dhe kontratën e punës, e veçanërisht nëse punëmarrësi mungon në mënyrë të paarsyeshme nga puna për tri ditë pune radhazi ose pesë ditë pune gjatë vitit.”
Vendimin për largimin e Grubit nga ky institucion e kanë përshëndetur nga VLEN, nga ku shtojnë se largimi i tij ishte vendimi i duhur.
“Lajmi se non grata Artan Grubi përballet me shkarkim nga Universiteti i Tetovës për mungesa të paarsyeshme është pasqyrë e qartë e kulturës së papërgjegjshmërisë dhe arrogancës që BDI ka kultivuar prej dekadash. Si mund një person që as detyrën akademike nuk e ka përmbushur dot, të përpiqej të shesë moralin politik dhe të flasë për përgjegjësi publike?
Artan Grubi, i njohur për të kaluarën e tij problematike dhe për akuzat që lidhen me arratisjen nga drejtësia, nuk përmbush kriteret morale dhe profesionale për të ligjëruar para studentëve. Universiteti është një institucion që duhet të promovojë integritetin, përgjegjësinë dhe respektin ndaj ligjit. Një person që ka shmangur përballjen me drejtësinë dhe që përfaqëson një model të kundërt me këto vlera nuk mund të jetë një shembull pozitiv për të rinjtë, andaj vendimi i Universitetit për të shkarkuar nga puna non grata Artan Grubin është mëse i duhur.
Koalicioni VLEN edhe më parë ka njoftuar opinionin e gjerë se nota mesatare e Grubit nga studimet deridiplomike është 7, me çka një student i këtij kalibri nuk mund të dalë para studentëve”, thonë nga VLEN.