June 24, 2024
Lajmet e reja

UT nuk i paguan asistentët madje i përjashton ata që mbajnë grevë, studentët humbin

Asistentët e Fakultetit të Shkencave Mjekësore në Universitetin e Tetovës (UT), ku studiojnë shumë studentë nga Kosova, po vazhdojnë të mos mbajnë mësim në grevën që ka filluar në mars 2024, shkruan gazetari Ardit Ramadani për Kallxo.com.

Kjo për shkak se ata kanë kaluar tre semestra duke mos u paguar për orë të mbajtura. Ata thanë se statusi i tyre është i parregulluar dhe punojnë me kontrata në vepër, pa sigurim shëndetësor dhe pensional.

Efektet e para gjithsesi filluan t’i ndjejnë studentët. Më shumë se 20% e studentëve janë nga Kosova dhe paguajnë 2 mijë euro për 1 vit akademik për dallim prej shtetasve të Maqedonisë së Veriut, të cilët paguajnë 400 euro për një vit akademik apo 200 euro nëse janë me kuotë shtetërore.

Visar Xhaferi, një ndër iniciuesit e grevës, tha se “Nuk është vetëm te pagesa, por te nënçmimi dhe poshtërimi që na kanë bërë me vite neve si asistentë dhe akoma vazhdojnë. Këtë semestër lirisht mund ta quajmë të humbur dhe të dështuar, e dështoi Rektorati.”

Me fillim të semestrit veror, në mars 2024, u bënë bashkë pjesa më e madhe e asistentëve të katër reparteve më të mëdha të këtij fakulteti dhe vendosën ta ndalin komplet mësimin.

“Si asistentë të pediatrisë, mjekësisë interne, gjinekologjisë dhe kirurgjisë kemi nënshkruar peticion për bojkotimin e mësimdhënies. Deri më 30 mars dekanati dhe rektorati e ka për detyrim t’i kryejë të gjitha pagesat ndaj neve, në të kundërtën do të mbajmë një konferencë për mediat”, shkruhet mes tjerash në letrën e bojkotit.

Nevzat Elezi, dekani i Fakultetit të Shkencave Mjekësore në UT tha: “Nuk e kisha idenë se ka grup të pakënaqur të asistentëve, unë caktova takim në fillim të semestrit për t’i organizuar orët, ata u shfaqën me dokument për peticion.”

Asnjë cent nuk hyri në llogaritë e asistentëve deri me datën ultimative në letrën e bojkotit, që ishte 30 marsi. Në fillim të muajit maj 2024, Universiteti i Tetovës i ka paguar disa asistentë për orët e mbajtura qysh në vitin 2022. Pjesa më e madhe e asistentëve vijojnë të jenë të papaguar për më shumë se 1 vit akademik.

Megjithatë, jo të gjithë asistentët i qëndruan besnik deri në fund kërkesës drejtuar dekanatit, një pjesë u kthyen në mësim, një pjesë u zëvendësuan nga asistentë tjerë ndërsa tjerët vazhdojnë bojkotin, përkundër pasojave që u kanosen dhe me të cilat janë duke u përballur.

“Bojkoti vazhdon edhe sot, kërkesat tona nuk janë përmbushur, dekani është shndërruar në avokatin e Rektoratit. Madje, disa asistentë për shkak të presionit, frikës se do humbasin reputacionin dhe për shkak të premtimeve të rreme nga ana e dekanatit, përpos që janë kthyer mësimit, s’i qëndrojnë prapa as nënshkrimit të dhënë”, tha Visar Xhaferi.

Xhaferi shtoi se presionet për të ndalur bojkotin kanë qenë në formën e telefonatave.

“Ka pasëur telefonata banale duke i ofenduar asistentët, ju kanë thënë se s’e kanë merituar asnjëherë të jenë asistentë, por i kanë mbajtur me hatër”, shtoi Xhaferi.

Nevzat Elezi, Dekani i FShM-së nuk e mohoi se edhe ai i ka telefonuar asistentët.

“Normal që i kam thirrur ca prej tyre, ju kam thanë a e kanë ndërmend të vijnë apo t’ua zëvendësojmë orët. I kam thirrur dhe do i thërras prapë, sepse i kam kolegë të çmuar, disa i kam si fëmijë, tjerët miq me të cilët bisedoj lirshëm”, tha Elezi.

Arsyetohet dekani Nevzat Elezi: S’i kemi paguar, sepse s’kemi pasur para

Elezi madje u shpreh i habitur për faktin që këta asistentë bojkotojnë pasi sipas tij duhet të ishin mësuar me vonesat në pagesë, thotë se situata është kështu që nga themelimi i Universitetit të Tetovës.

“Ka vite që s’janë paguar, e pranoj. Viti 2022 u është paguar ndërsa për angazhimin gjatë vitit 2023-2024 pagesat janë në proces. S’janë paguar sepse kemi pasur mungesë të mjeteve financiare, por e theksoj se kur këta 170 asistentë i kanë nënshkruar kontratat, s’ju kemi dhënë afat kohor se kur do të paguhen për angazhimin e tyre, ata të gjithë e kanë ditë se do të shkojë një periudhë derisa të paguhen, edhe arsyen e kanë ditë, që kemi mungesë të mjeteve, ne këtë nuk e mohojmë”, tha Nevzat Elezi, dekan në fakultetin e Shkencave Mjekësore në UT.

Elezi megjithatë tha se ai bashkëndjejnë me kolegët e tij dhe thotë se “ne e kemi pranuar këtë si dështim, por s’është diçka e re, edhe unë kur kam qenë me kontratë në vepër s’jam paguar gjatë kohë, shpesh herë ia kam falë universitetit paratë.”

Problemi qëndron në faktin që Ministria e Financave dhe ajo e Arsimit nga viti 2006-të, kur është legalizuar Fakulteti i Shkencave Mjekësore i UT, refuzojnë të japin pëlqim për punësime të reja për asistentë të mjekësisë, gjë që i detyron fakultetet t’i mbajnë asistentët me kontrata në vepër dhe t’i paguajnë me mjetet vetanake të Universitetit, të cilat shpesh herë ju mungojnë.

Elezi tha se kërkesa për aprovim të punësimeve kanë dërguar pothuajse çdo vit, por pa sukses. Të dy ministritë udhëhiqen nga ministra shqiptarë, kuadër i Bashkimit Demokratik për Integrim. Nga ministria e Arsimit thanë se janë të njoftuar me situatën, presin që kjo problematikë të zgjidhet brenda javës së ardhshme.

KALLXO.com ka kontaktuar Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, MASh, e cila ka thanë se “është në komunikim të vazhdueshëm me Universitetin e Tetovës, nga atje na siguruan se gjatë javës së ardhshme kjo problematikë do të zgjidhet”.

MASh-i ka thënë se siguron mbështetje për këtë universitet në pjesën e kuadrit të punësuar me orar të plotë. “Ndërkaq, kuadri i angazhuar për shërbime intelektuale, secili universitet si institucion autonom i realizon pagesat me mjetet vetanake, siç jemi informuar nga Rektorati, plani për kompensim të tyre veçse ka filluar dhe do të përfundojë gjatë javës së ardhshme”, ka shtuar MASh.

Zgjidhja alternative është punësimi i dyfishtë i cili ka filluar të implementohet nga viti i kaluar. Kjo do të thotë që asistentët do të punojnë 35 orë në Spitalin Klinik të Tetovës dhe 5 orë në universitet, deri tani 7 persona janë punësuar në këtë formë dhe kanë dërguar kërkesë në ministrinë e Financave për 7 tjerë, por ende s’kanë marrë përgjigje.

Asistentët që vijojnë me bojkotin po përjashtohen nga puna 

“Kontrata juaj është joaktive, ju lutem kontaktojeni sekretarin e fakultetit tuaj”, shkruan në profilet online të asistentëve që bojkotojnë mësimin, kjo është interpretuar nga ta si largim nga puna.

KALLXO.com arriti t’i mësojë emrat e disa prej asistentëve të cilët për shkak të bojkotit tashmë nuk kanë kontratë aktive, të paktën jo në sistemin online të universitetit. Bëhet fjalë për asistentët Visar Xhaferi, udhëheqës i grevës, Ardit Qafjani, Beqir Mamuti, Ilmi Jashari, Qemal Ismaili, Luljeta Mulaku, Eldiar Zylbeari, Armend Sejdini, Luljeta Ismaili, Valdrin Asani, Naxhiije Fetai dhe Arta Bajraktari.

“Orët e humbura janë shumë, më shumë se gjysma e semestrit por për këtë duhet të mbajë përgjegjësi dekanati dhe jo ne si asistentë që bojkotojmë me të drejtë. Ka 1-2 javë që janë përjashtuar nga puna iniciatorët e bojkotit, ata që kanë dalë publikisht në media, janë mbi 10 asistentë të përjashtuar nga puna”, tha Visar Xhaferi.

“Në vend që të reflektojnë dhe t’ju përgjigjen kërkesave tona, ata na heqin prej sistemi, që mund të përkthehet si largim nga puna, kjo është e tmerrshme”, tha një prej asistentëve, i cili dëshiroi të ngelë anonim.

Për gjithë këta emra kishte nga një përgjigje dekani Nevzat Elezi, dekani i Fakultetit të Mjekësisë në UT.

Ai tha se Armend Sejdini s’ka qenë fare i angazhuar këtë semestër ndërsa për tjerët tha se s’janë larguar, por u janë zëvendësuar orët.

“Ka dallim mes largimit nga puna dhe zëvendësimit të orëve të tyre, kontrata e këtyre që bojkotojnë vijon, por orët u janë zëvendësuar ngase ne, s’mund t’i lëmë studentët pa mësim praktik. Ne mund të bartim përgjegjësi sepse s’i kemi paguar asistentët, ama ata duhet të përgjigjen se pse nuk i mbajnë orët. Studentët nuk janë fajtorë për atë se a ka para Rektorati ose jo, detyrat e punës duhet të kryhen”, tha Elezi.

Elezi u shpreh i ashpër me disa prej asistentëve që bojkotojnë, tha se “40% e tyre s’i plotësojnë kushtet për të qenë asistentë” por i kanë pranuar për “të mos i hidhëruar”. Mes atyre që s’i plotësojnë kushtet, e përmendi iniciatorin e bojkotit, Visar Xhaferin, për të cilin tha “ai ka qenë jashtë shtetit 3 javë ndërsa ka dërguar raport sikur ka mbajtur ushtrime me prezencë fizike.”

Në lidhje me këtë akuzë, asistenti Visar Xhaferi thotë se e ka shënuar në sistem që ka mbajtur orë me prezencë fizike përkundër faktit që ka qenë në Pakistan, por këtë e ka bë pasi, sipas tij, orët janë mbajtur me prezencë fizike nga ana e kolegut të tij, Besnik Mustafai.

mbajnë mësimin sa për sy e faqe, por në disa lëndë vijon bojkoti. Për shembull, asistenti në gjinekologji që më ka rënë mua, nuk ka mbajtur asnjë orë, ka vendosur për bojkot total. Asistentit Elidar Zylbeari ia di vetëm emrin dhe mbiemrin, nuk e njoh ndërkaq javën tjetër duhet t’i marrim nënshkrimet, unë nuk e di si duket ai”, tha studenti A.M.

Nevzat Elezi, dekani, tha që Elidar Zylbeari ka 1 javë që kishte kërkuar të kthehet t’i mbajë ushtrimet, por sipas dekanit “tashmë është vonë, sepse ushtrimet e tija kemi vendosë t’ia japim një asistenti tjetër.”

Më 7 maj disa asistentë janë paguar për orët e mbajtura në semestrin dimëror të vitit 2022. Plani i dekanatit për shlyerjen e të gjitha borxheve të vitit 2022 dhe 2023 është më 20 maj dhe realizimi i pagesave për orët e mbajtura në vitin 2023 dhe 2024 është 10 qershor.

KALLXO.com kontaktoi me Inspektoratin e Punës të cilët thanë se për këtë gjatë kësaj jave do të kryejnë mbikëqyrje në Universitetin e Tetovës.

Sipas një hulumtimi të Forumit për Ndryshime në Arsim, studentët shpenzojnë mesatarisht 11,309 euro deri në kryerje të studimeve në fakultetin e Shkencave Mjekësore në Universitetin e Tetovës, kjo shifër është shumë e madhe për studentët e Kosovës, marrë parasysh se semestri dhe konvikti është më i shtrenjtë për ta.