Ushtria izraelite pretendon se nuk ka nisur “operacion zyrtar tokësor” në Gaza
Në vazhdën e sulmeve më intensive në Rripin e Gazës që nga 7 tetori, ushtria izraelite njoftoi mbrëmë se asnjë “operacion zyrtar tokësor” nuk ishte nisur, raporton Anadolu.
“Channel 12” raportoi, duke cituar burime pranë Shtëpisë së Bardhë, se forcat izraelite hynë në Gaza “në një masë të kufizuar” nga toka.
Burime ushtarake thanë se nuk bëhet fjalë për nisjen e një operacioni zyrtar tokësor në Gaza. Ushtria izraelite tha më herët të premten se po zgjeronte fushën e operacioneve të saj tokësore.
Ministri i Jashtëm jordanez, Eymen Safedi deklaroi se Izraeli ka nisur një luftë tokësore kundër Gazës që do të ketë pasoja të pallogaritshme në aspektin e katastrofës humanitare në vitet në vijim.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (OKB) miratoi një rezolutë mbrëmë që bën thirrje për armëpushim urgjent humanitar në Gaza.
Ministri i Jashtëm izraelit Eli Cohen e quajti “imorale” thirrjen nga rezoluta e OKB-së, e cila u mbështet nga 120 vende.
OKB-ja ka paralajmëruar se çdo sulm ndaj objekteve shëndetësore është shkelje e ligjit ndërkombëtar humanitar dhe paralajmërimi erdhi menjëherë pas kërcënimeve izraelite kundër spitalit Al-Shifa në Rripin e Gazës.
Ndërkohë që bombardimet intensive vazhdojnë në Rripin e Gazës, telekomunikacioni dhe interneti janë në ndërprerje, duke e bërë të pamundur komunikimin me ekipet humanitare dhe mjekësore në terren, gjë që u dënua ashpër nga shefi i Zyrës së Komunikimit të Presidencës së Türkiye-s, Fahrettin Altun.
Gjysmëhëna e Kuqe Turke tha se nuk kishte kontakte me stafin në Gaza ndërsa UNICEF-i bëri thirrje për përfundimin e menjëhershëm të konfliktit për të mbrojtur gati një milion fëmijë në Rripin e Gazës.
Që nga 7 tetori, nga sulmet izraelite në Gaza janë vrarë 7.326 palestinezë, përfshirë 3.038 fëmijë, 1.726 gra dhe 414 të moshuar. Pothuajse 19.000 persona u plagosën.