Universiteti i Tetovës organizator i Turneut Ndërkombëtar të Volejbollit në Rërë
Universiteti i Tetovës e filloi Turneun Ndërkombëtar të Volejbollit në Rërë që do të mbahet nga data 2 e deri më 4 korrik. Në këtë hapje solemne të pranishëm ishin: Kryetari i Federatës së Volejbollit në Maqedoninë e Veriut, z. Petar Jovanovski, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, dekanë, profesorë, emra të shquar të volejbollit dhe studentë.
Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, deklaroi se është nder dhe kënaqësi e veçantë për të që t’ju drejtohet me fjalë rasti në ceremoninë zyrtare të fillimit të Turneut Ndërkombëtar të Volejbollit në Rërë që ne si Universitet e bashkorganizojmë me Federatën e Volejbollit të Maqedonisë së Veriut. “Sigurisht se është një rast i mirë, një takim i frytshëm mes institucioneve tona, që përmes këtij aktiviteti sportiv të sjellim eksperienca të ndryshme ndërkombëtare, që kanë të bëjnë me rritjen e cilësisë, konkurrencën dhe avancimin e shkencave sportive. Ndër vlerat e veçanta të këtij turneu tejet të rëndësishëm duhet të theksojmë edhe shkëmbimin e përvojave ndërmjet ekipeve pjesëmarrëse nga vendi ynë,nga Shqipëria, Italia, Serbia,Turqia, Bullgaria,Kosova, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Kroacia. Ngjarjet e tilla sportive, që po i zhvillojnë institucionet tona, e rikonfirmojnë edhe një herë gatishmërinë për bashkëpunim të fuqishëm në lëmin e veprimtarisë arsimore dhe shkencore. Sot, universitetet, përtej misionit të tyre parësor të prodhimit të dijeve dhe transmetimit të njohurive, gjithnjë e më shumë po kthehen në institucione me ndikim për zhvillimin e shoqërisë, evolucioneve sociale dhe realizimit të eventeve sportive. Universiteti i Tetovës e vlerëson lart pjesëmarrjen e ekipeve të njohura të volejbollit në këtë aktivitet sportiv, sikurse urojmë që pas finalizimit të tij, të vijojmë bashkëpunimin edhe në projekte të tjera me Federatën e Volejbollit të Maqedonisë së Veriut” tha Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof.Dr. Vullnet Ameti.
Ndërkaq Kryetari i Federatës së Volejbollit në Maqedoninë e Veriut, z. Petar Jovanovski, e falënderoi Universitetin e Tetovës për këtë iniciativë duke thënë se këtu bashkohet shkenca me sportin, pasi shkenca pa sportin nuk mund të ekzistojë duke u dëshiruar sukses skuadrave që do të konkurrojnë në këto 3 ditë.
Përgjegjësi i këtij turneu, njëherit edhe kapiten i skuadrës së volejbollit të Universitetit të Tetovës, Hamza Veseli, në fjalën e tij të rastit i falënderoi pjesëmarrësit që iu përgjigjën ftesës për këtë eveniment ndërkombëtar që organizohet për herë të parë në Tetovë, si rezultat i bashkëpunimit mes Universitetit të Tetovës dhe Federatës së Volejbollit të Maqedonisë së Veriut. “Vetë organizimi i një veprimtarie sportive të këtij niveli paraqet sfidë në vetvete, sidomos në këtë kohë të një krize globale shëndetësore, përkatësisht pandemisë Covid-19, mirëpo, falë profesionalizmit, kapaciteteve kadrovike që posedojnë dy institucionet tona ne arritëm ta finalizojmë programin, koordinimin e këtij turneu, i cili fillon sot dhe mbaron më datë 4 korrik 2021. Agjenda sportive e turneut të volejbollit në rërë besojmë se do të realizohet sipas parashikimeve të organizatorëve, sikundër urojmë që realizimi me sukses i këtij turneu të këtij viti t’u hapë rrugë edhe sukseseve të tjera të Federatës së Volejbollit, e cila pritet të marrë pjesë në kampionatin evropian të volejbollit” tha përgjegjësi i këtij turneu, Hamza Veseli.
Në këtë ngjarje sportive do të marrin pjesë ekipe të njohura të volejbollit nga vendi ynë, Shqipëria, Serbia, Turqia, Bullgaria, Republika e Kosovës, Bosnja, Mali i Zi dhe Kroacia. Përtej rezultateve dhe fituesve, kryefjala e këtij turneu do të jetë shkëmbimi i eksperiencës dhe zbavitja e argëtimi i publikut, pasi vetë volejbolli në rërë është sport atraktiv për syrin e tifozëve.