Ukraina dhe Suedia nënshkruajnë marrëveshje sigurie, Zelenski: Së bashku mund të ndalojmë çmendurinë nga Moska
Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski dhe kryeministri suedez Ulf Kristerson nënshkruan marrëveshje sigurie mes Ukrainës dhe Suedisë, e cila kap vlerën prej 75 miliardë kruna suedeze ndihma ushtarake deri në vitin 2026. Vetëm së bashku mund të ndalojmë çmendurinë nga Moska, tha Zelenski në konferencë për shtyp.
“Ne do të diskutojmë së bashku hapat e ardhshëm, mbrojtjen ajrore, siç tha tashmë kryeministri edhe prodhimin e armëve dhe diplomacinë tonë. Ju mund të shihni që Rusia po përpiqet të zgjerojë luftën dhe të prishë samitin e paqes dhe ne po përgatitemi. Gjithashtu është evidente se Rusia po përgatitet për provokime në rajonin e Balltikut kundër kufijve në rajon. Vetëm së bashku mund të ndalim çmendurinë e Moskës.”, – deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Stoltenberg hedh poshtë paralajmërimet ruse për përshkallëzim
Sekretari gjeneral i NATO-s, Stoltenberg, hodhi poshtë paralajmërimet ruse, se nëse lejohet Kievi të përdorë armë perëndimore për sulme brenda territorit rus mund të çojë në një përshkallëzim.
“Aleatët e Ukrainës i dhanë mbështetje të jashtëzakonshme. Nëse shikoni fushëbetejën, Rusia ka filluar sulmet nga territori rus. Ukraina do ta ketë më të vështirë të mbrohet nëse nuk i lejohet të shfrytëzojë armatim të avancuar që të përballet me ato sulme. Shumë nga aleatët qartë vendosen në dijeni që ato janë dakord që Ukraina të shfrytëzojë armatimin që ka marrë për t’u mbrojtur me kundërsulme ndaj caqeve ushtarake brenda Rusisë.”, – theksoi sekretari gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Ndërkohë të paktën tre persona u vranë dhe 16 të tjerë u plagosën në bombardimet ruse në Harkiv në verilindje, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës. Të dhënat janë bërë publike nga guvernatori rajonal, Oleh Sinekhubov.