Maqedoni

Uji i pijshëm, “lufta” ende e pa fituar e Komunës së Likovës

Afër 30 mijë banorë të Komunës së Likovës, edhe pse jetojnë afër dy pendave të ujit, asaj të Likovës dhe Gllazhnjës, ende nuk kanë uji për pije. Edhe pse po nga këto dy penda furnizohet me uji për pije e gjithë Komuna e Kumanovës, banorët lokal janë të përjashtuar. Autoritet komunale për PRESSonline.mk premtojnë zgjidhje të shpejt, ndërsa qytetarët janë në pritje të shuarjes së etjes për uji.

Shumica e banorëve të 11 fshatrave të komunës së Likovës, zgjidhjen për tu furnizuar me uji të pijshëm e kanë gjetur duke hapur puse nëpër oborret e tyre. Për hapjen e një pusi kanë paguar deri në 3 mijë euro, megjithatë thonë gjatë stinës së Verës në të shumtën e rasteve ato thahen dhe përsëri problemi mbetet.

Penda e Likovës
“Ky është një problem i madh për ne. Në shekullin 21 mos kesh uji të mjaftueshëm për pastrim, e lerë më për pije është e tmerrshme. Edhe pse jetojmë afër dy pendave që e furnizojnë gjithë komunën e Kumanovës me uji”, na tha një banorë i fshatit Sllupçan të Komunës së Likovës.

“Kjo është bërë përditshmëria jonë. Jemi bërë imun ndaj këtij problem. Shpresojmë të gjendet zgjidhje”, thotë një tjetër banorë i Komunës së Likovës.

ARIFI: DERI NË FUND TË VITIT, GJASHTË FSHATRA DO FURNIZOHEN ME UJI

Erkan Arifi, Kryetar i Komunës së Likovës
Kryetari i Komunës së Likovës, Erkan Arifi për PRESSonline.mk tha se deri në fund të vitit pritet të përfundojë tërësisht procesi i furnizimit me uji për gjashtë fshatra, ndërsa për pesë të tjerë punimet janë në vijim.

“Në të gjashtë fshatrat ku po punohet planifikojmë që deri në fund të vitit të lëshojmë në përdorim ujin për pijë. Ndërsa do na mbeten edhe pesë fshatra për në të ardhmen. Gjatë këtij mandati katër vjeçar janë bërë rreth 6 milion euro investim në rrjetin e ujësjellësit në tërë vendbanimet e komunës së Likovës”, deklaroi Arifi.

Ai informoi se deri më tani Komuna e Likovës ka arritur që të përmbyll punimet me gypin kryesor nga penda e Gllazhnjës apo tubacioni për uji për pije, në drejtim të fshtatit Nikushtak, Llojan dhe Opajë.

“Të gjitha fshatrat e Komunës së Likovës, 11 fshatra fushor janë të përfshirë me gypin kryesor për uji për pije. Po ashtu ka përfunduar filtër stacioni mbi fshatin Likovë, ka përfunduar objekti sendimental afër filtër stacionit për gjitha fshatrat e komunës së Likovës dhe pastaj kemi përgatitur dokumentacionet teknike për rrjetet sekondar për të gjitha vendbanimet. Ne kemi filluar nga zeroja, s’kemi pasur as gyp, as filtër stacion, as objekt sendimental, as rrjet sekondar. Tash kemi arritur që rrjetet sekondar në bashkëpunim me Qeverinë, gjegjësisht Ministrinë e Ekologjisë, që ti fillojmë punimet në fshatin Likovë, ku edhe kanë përfunduar, dhe së shpejti do të bëhet edhe pranimi teknik i rrjetit sekondar. Punimet për rrjetin sekondar janë në vijim edhe në fshatin Orizar. Për rrjetin sekondar të fshatit Mateç të gjitha proceduarat janë në përfundim e sipër nga ana e Ministrisë së Ekologjisë dhe shumë shpejt pritet që të fillohet me punë”, informon Arifi.

Nga Komuna e Likovës bëjnë të ditur se janë siguruar edhe pesë milion denarë nga programi i ujërave nga pushteti qendror për fillimin e punimeve të ujësjellësit për fshatin Nikushtak.

“Për fshatin Sllupçan gjithashtu është nënshkruar kontrata për fillimin e punimeve, si dhe në fshatin Llojan nga TAV programi i Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, edhe aty janë kryer procedurat administrative. Pra në gjashtë fshatra procesi i rrjetit sekondar të ujësjellësit është në proces pune dhe për të cilat punime janë siguruar mjetet nga institucione të ndryshme. Ne kemi ndërtuar rreth 37 kilometra gyp të tubacionit për uji për pije dhe prapë qytetarët nuk kanë uji. Tash për fshatin Likovë dhe Orizarë mendojmë se brenda këtij viti do ta lëshojmë ujin në përdorim”, thonë nga Komuna e Likovës për PRESSonline.mk

MUSLIJI: ZGJIDHJA E KËTIJ PROBLEM ËSHTË VETËM SE POLITIK

Shkëlqim Musliji, Këshilltar komunal
Këshilltari nga radhët e Aleancës për Shqiptarët (ASH) në Komunën e Likovës, Shkëlqim Musliji i tha PRESSonline se banorët kanë plotësisht të drejtë të ankohen, pasi që sipas tij, zgjidhja e këtij problem është vetëm se politik. “Zgjidhja është vetëm politike. Nëse pushteti qendror nga ana e pozitës shqiptare këmbëngul që ky projekt të ketë prioritet ajo bëhet më shpejt. Mungon aftësia apo përkushtimi sa më profesional i kryetarit dhe kabinetit të tij për të bërë sa më shumë projekte dhe për të qenë sa më insistues në institucione të ndryshme të shtetit si ato shtetërore dhe ato të jashtme”, deklaroi Musliji.

Problemi i ujit të pijshëm, në Komunën e Likovës, daton që para 50 viteve e më shumë, d.m.th që nga koha kur janë ndërtuar dy pendat artificiale, në Likovë dhe Gllazhnje, mirëpo edhe pse u ndërtuan këto penda, fshatrat e kësaj komune mbetën pa ujë. Uji për pije në Maqedoni në përgjithësi i kënaq standardet e nevojshme. Përjashtim bëjnë disa vendbanime ku mungojnë ujësjellësit, kurse vendbanimet furnizohen nga bunarët, apo pinë ujë pa klor apo edhe me përmbajtje të substancave të palejuara.

PROBLEMATIK FURNIZIMI ME UJË PËR AFËR 100 MIJË BANORË TË RMV

Raportet e Institutit për Shëndet Publik, thonë se objektet lokale për furnizim me ujë, si pompa, bunarë dhe çezma fshati, akoma janë në përdorim si burim kryesor i ujit për pije për 98.266 banorë. Në këto fshatra në vitin e kaluar janë kryer 120 kontrolle dhe janë marrë 1159 mostra për analiza, ku 236 prej tyre kanë treguar rezultate jo të rregullta lidhur me parametrat fiziko-kimike, edhe atë kryesisht për shkak të ujit të turbullt dhe pranisë së shtuar të nitrateve. Vlerësohet se në Maqedoni në vit harxhohen afër 100 milionë litra ujë të paketuar, gjegjësisht 50 litra ujë për kokë banori, që është dyfish më pak se mesatarja evropiane prej 112 litra ujë në shishe për banorë të Bashkimit Evropian. (M.M/PRESSonline.mk)

(Me këtë shkrim, PRESSonline i bashkëngjitet fushatës “Kthjellohu”, që realizohet nga Instituti për Komunikime Studimore, e financuar nga Ambasada Britanike në Shkup)