MaqedoniZgjedhje Lokale 2021

Uji dhe kanalizimi, kërkesat kryesore të shkupjanëve

Furnizimi me ujë të pijes, rregullimi i kanalizimeve dhe lirimi i trotuareve. Këto janë disa prej kërkesave që qytetarët e anketuar nga Radio Evropa e Lirë në Shkup të Maqedonisë së Veriut kanë për kryetarët e rinj të komunave.

Por, kandidatët për kryetarë komune, në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, kanë premtuar projekte të mëdha, si lagje elitare, turizëm përgjatë katër stinëve, transport urban pa pagesë, rrjet gazifikimi, pishina e projekte të tjera.

Safet Ajdini nga Komuna e Sarajit të Shkupit thotë se uji i pijes dhe asfaltimi i rrugëve në komunën ku ai banon, mbeten prioritet.

“Për çdo ditë ballafaqohemi me probleme. Kanalizimi që është bërë, e kanë lënë me gropa, pa e mbuluar. Rruga është bërë shumë keq. Na u prishën veturat duke ecur në gripa. Po erdhët më lartë në fshat, është katastrofë, nuk dimë nga të ia mbajmë”, thotë Ajdini.

Ndërkaq, Sasho Nikollovski thotë se dikur Shkupi ishte një qytet i bukur, me hapësira të gjelbëruara, por tani gjithçka është shndërruar në beton. Kërkesa e tij për kryetarin e ardhshëm është që të lirojë trotuaret, pasi tregon se nuk po mund të lëvizë me karrocën e tij as deri në dyqan, për të blerë gjërat e nevojshme.

“Kalimtarët e rastit duhet të më ndihmojnë që të zbres nga trotuari në rrugë sepse trotuaret janë të zëna dhe ka barriera arkitektonike. Unë nuk dua të jem i varur nga fëmijët, dua që vet ta bëjë pazarin e ditë, por pasi mungojnë trotuaret si dhe ka shumë barriera, unë e kam të kufizuar lëvizjen”, thotë Nikollovski.

Përderisa Asim Veliu nga Komuna Çair e Shkupit, thotë për Radion Evropa e Lirë se rrjeti i kanalizimit, që sipas tij është jofunksional, po ua vështirëson jetën banorëve të kësaj zone.

“Një pikë shiu të bie, e gjithë lagjja noton në ujë sepse kanalizimi nuk funksionon. Nuk durohet era e keqe. Ne nuk po kërkojmë diçka të madhe, por diçka elementare”, thotë Veliu.

Sefer Selimi nga organizata joqeveritare Democracy Lab, që monitoron punën e pushtetit lokal, thotë për Radion Evropa e Lirë se derisa debatet nuk po orientohen nga analizimi i qëndrueshmërisë dhe kapaciteteve që kanë komunat për të realizuar projektet që po premtojnë kandidatët për kryetarë, të njëjtat do të vazhdojnë të jenë pjesë përbërëse e fushatave zgjedhore.

“Këtu gjithsesi një peshë dhe rol të madh duhet ta ketë pjesa akademike e shoqërisë, që merret me analizimin e projekteve dhe kapacitetet që kanë komunat për t’i zbatuar ato. Pra, në debate të tilla, gjatë shpalosjes së projekteve dhe të kyçen edhe profesorë universitarë, shoqëria civile e kështu me radhë”, thotë Selimi.

Ndërkaq, Petar Arsovski, që merret me matjen e opinionit publik, thotë për Radion Evropa e Lirë se partitë politike bëjnë sondazhe të brendshme dhe në bazë të tyre hartojnë programin zgjedhor. Projektet që prezantohen gjatë fushatës zgjedhore, sipas tij, bëhen me qëllim që të duken sa më grandioze në sy të qytetarëve, por edhe për t’iu bërë konkurrencë kundërshtarëve politikë.

“Lufta për pushtet me projekte që nuk arrijnë të realizohen nuk do të ndërpritet, derisa qytetarët nuk do ta dënojnë këtë lloj të politikanëve në zgjedhje me votën e tyre. Pra, nëse qytetarët do të kërkonin përgjegjësi nga kryetarët e tyre, ata do të detyroheshin të ishin më të kujdesshëm me premtimet që japin”, thotë Arsovski.

Kjo është java e dytë e fushatës për zgjedhjet lokale të 17 tetorit. Fushata do të zgjasë deri më 15 tetor./REL/