U promovua libri “Luboteni 2001” dhe filmi dokumentar “Kur Luboteni digjej”
– Me rastin e 20-vjetorit të masakrës mbi fshatin Luboten të Shkupit, sot në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup u promovua libri “Luboteni 2001” i autorëve Skender Asani, Sevdail Demiri dhe Zeqirija Ibrahimi, si dhe emisioni dokumentar “Kur Luboteni digjej”, i realizuarnga Radio-Televizioni Shqiptar.
Në fillim të pranishmit i përshëndeti drejtori i Institutit, Skender Asani, i cili foli për vijimësinë e represioneve dhe vrasjeve ndaj shqiptarëve gjatë historisë, që nga ’45-ta e deri në vitin 2001 në fshatin Luboten. Ai theksoi se “Tragjedia e Lubotenit ishte çmimi i arritjes së Marrëveshjes së Ohrit”
Pas tij me fjalë falënderuese u paraqit edhe kryetari i Bashkësisë Lokale të Lubotenit, Rexhep Imeri, i cili falënderoi Institutin për këtë libër dhe Radio-Televizionin Shqiptar për emisionin dokumentar.
Për librin në fjalë me referate u paraqitën Nuridin Ahmeti – historian dhe punonjës nga Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe Sefer Tahiri – hulumtues në ITSHKSH në Shkup. Në fjalën e tij Nuridin Ahmeti theksoi se: “Libri ‘Luboteni 2001-studime, raporte, dokumente dhe fotografi’, i përgatitur nga tre studiuesit Skender Asani, Sevdail Demiri dhe Zeqirja Ibrahimi, është prurja më e mirë për këtë ngjarje, e cila ka ndodhur para dy dekadave në një pjesë të territorit të Maqedonisë. Ata që janë të interesuar, të lexojnë për këtë ngjarje të bazuar në fakte dhe argumente, tani e kanë këtë mundësi, përmes leximit të këtij libri. Këtë libër duhet ta kenë në dorë të gjithë ata, nga mosha e Erxhan Aliut deri te mosha e Memet Memetit, jo për të ngjallur urrejtje, por për t’ua shpjeguar drejt këtë ngjarje, me qëllim që ajo mos të harrohet, dhe e dimë mirë se ajo që harrohet është e rrezikuar të përsëritet.”
Ndërkaq recensenti tjetër, Sefer Tahiri, përkitazi me librin tha se: “Sulmi policor në Luboten do të mbahet mend në histori si vepër kundër njerëzimit, pasi i njëjti shkaktoi 10 viktima, emrat e të cilëve jo që nuk do hiqen vetëm nga mbamendja e familjarëve dhe të afërmve të tyre, por edhe nga kujtesa e historisë. Monografia e autorëve Asani, Demiri dhe Ibrahimi, me një kujdes të posaçëm dhe qasje profesionale shkencore, sjell para lexuesit jetëshkrimet e këtyre njerëzve, që u bënë martirë të betejës përballëse të shqiptarëve me sistemin shtetëror. Autorët e monografisë me një pedanteri kanë gjurmuar në arkiva e më pas i kanë sistemuar raportimet dhe vrojtimet gazetareske të mediave vendore, që pasqyruan me fjalë dhe imazhe ngjarjen e Lubotenit para opinionit vendas dhe ndërkombëtar.”
Në emër të autorëve të pranishmit i falënderoi Sevdail Demiri.
Në fund u emetua edhe emisioni dokumentar “Kur Luboteni digjej”, i përgatitur nga Genc Ymeraj si produksion i RTSH-së, i cili ngjalli kujtime të dhimbshme te familjarët e viktimave që ishin të pranishëm në sallë, ndërsa u mirëprit me duartrokitje nga të gjithë që ishin në këtë promovim.