Lajmet e reja

U përurua rruga “Parashqevi Qiriazi” në zemër të Shkupit-Çair

Në një ditë të veçantë për Komunën e Çairit, sot u bë riemërtimi i një rruge në nder të Parashqevi Qiriazit, një prej figurave më të shquara të arsimit dhe emancipimit të gruas shqiptare.

“Ky akt i rëndësishëm u bë në prani të Zëvendëskryeministrit të Parë, Izet Mexhiti, familjarëve të familjes Qiriazi, si dhe qytetarëve të Shkupit, të cilët morën pjesë në këtë ngjarje të paharrueshme.
Në këtë ngjarje solemne, nderuam jo vetëm një individ, por edhe një familje që ka dhënë shumë për atdhenë dhe popullin shqiptar. Vëllezërit e Parashqevi Qiriazit, Naimi dhe Nikolla, gjithashtu, ishin figura kyçe në zhvillimin e arsimit shqip dhe mbrojtjen e identitetit kombëtar. Ata dhe Parashqevi Qiriazi krijuan një trashëgimi të jashtëzakonshme, e cila vazhdon të jetojë përmes arsimimit dhe mundësive që hapën për brezat e rinj”, deklaroi me ketë rast kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu.

Ai theksoi se ky riemërtim shërben gjithashtu si një thirrje për të gjithë ne, që të vazhdojmë të nderojmë dhe të mbrojmë trashëgiminë e kësaj familjeje të shquar, duke kontribuar për mundësi të barabarta në arsim dhe zhvillim për çdo individ, pa dallim.

“Po ashtu, emrat e Gjergj Qiriazit dhe Gjerasim Qiriazit tashmë janë përjetësuar në rrugë të tjera të Komunës së Cairit, duke nderuar kontributet e jashtëzakonshme të këtyre figurave në fushën e arsimit dhe kulturës”, theksoi Ganiu.