Maqedoni

U përkujtua vepra e gazetarit kërçovar e mbarëkombëtar, Qani Mehmedi

Ne sot si institucion shkencor jemi të nderuar që po shënojmë 70 vjetorin lindjes së një prej korfejve të gazetarisë shqiptare. Ësht ky Qani Mehmedi, emri dhe vepra e të cilit janë të pashkëputur nga zhvillimi ynë i gjithmbarshëm, ku kontributi i tij në fushën e gazetarisë e publicistikës është i patejkalueshëm. Me emrin e Qani Mehmedit lidhet një shkollë e tërë gazetarie në Kosovë dhe gjetiu dhe kjo mjafton për ta nderuar figurën e tijë dhe për ta radhitur atë në vazhdën e veprimtarëve dhe intelektualëve të shquar që kombit tonë i dhanë shtytje për më shumë dije, më shumë progres dhe më shumë dinjitet…Nëse ndjekim diagramin e formimit dhe zhvillimit të gazetarit dhe publicistit Qani Mehmedit, do të vërejmë se ai ndoqi një trajektore mjaft dinamike me shumë sfida e të papritura që sjell profesioni dhe vet jeta. Nga ajo çka kemi arritur të mësojmë telegrafikisht nga veprimtaria e tij, mund të konkludojmë se një komb që ka në gjiun e vet pena të shquara si Qani Mehmedi e kanë më lehtë të gjejnë rrugët e prosperitetit dhe zhvillimit të gjithanshëm shoqëror. Atëherë kur ishte vështirë të përhapej e vërteta për Kosovën dhe luftën saj të drejt për liri e pavarësi, ishte zëri i Qani Mehmedit që jehonte në eter dhe dërgonte në skajet më të largët të globit mesazhin se liria është afër. Ishte ky zë i kurajos dhe qëndresës edhe për luftëtarët tanë në frontet e betejave, për të cilët, përpos municionit dhe ushqimit, jetike ishte edhe fjala që përhapej në media. Ishte kjo fjala që buronte nga pena e guximshme që sot me krenari ia festojmë 70 vjetorin lindjes,
Qoftë i paharruar emri i Qani Mehmedit dhe ditëlindjet e tij le të na shërbejnë si lindje e ideve të reja për më shumë hapësirë mendimi e veprimi kreativ.