Kosovë

Turqia pritet të marrë komandën e forcës së udhëhequr nga NATO-ja në Kosovë

Turqia pritet të marrë komandën e forcës së udhëhequr nga NATO-ja në Kosovë

B108.06.2023 510 1 minute read

Turqia pritet të marrë komandën e forcës së udhëhequr nga NATO-ja në Kosovë në një rotacion të planifikuar këtë vjeshtë, pas përplasjeve më të ashpra në rajon në një dekadë, sipas zyrtarëve turq të njohur me këtë çështje.

Turqia, e cila është e dyta për nga numri i ushtarëve brenda Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut pas SHBA-së, ka të ngjarë të marrë drejtimin e misionit të KFOR-it nga Italia në tetor, thanë zyrtarët, duke kërkuar të mos identifikohen për shkak të ndjeshmërisë së informacionit, raporton “Bloomberg”.

Ndërrimi i komandës ishte planifikuar para shpërthimit të fundit të dhunës në veri dhe zgjedhja e Turqisë ende nuk është finalizuar.

Me kërkesë të NATO-s, Turqia ka dislokuar një batalion komando në Kosovë pas protestave që lanë 30 paqeruajtës të plagosur, duke kërcënuar një proces shumëvjeçar për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në një moment kritik kur Bashkimi Evropian dhe aleatët e NATO-s janë të fokusuar në luftën e Rusisë në Ukrainë.

Ministria e Mbrojtjes e Turqisë nuk kishte asnjë koment të menjëhershëm. Një zëdhënës i NATO-s nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.