Turqia liron çiftin izraelit të arrestuar për spiunim
Një çift i martuar izraelit, i ndaluar në Turqi nën akuzat për spiunim për gati një javë, është liruar dhe është nisur në shtëpi.
Mordi dhe Natalu Oknin, të cilët janë shoferë autobusash, kanë thënë se kanë qenë për pushime në Stamboll kur janë arrestuar pse kanë bërë fotografi të rezidencës së presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan.
Si çifti, ashtu edhe Qeveria izraelite, kanë mohuar akuzat.
Arrestimi i tyre ka dominuar faqet e para të gazetave izraelite dhe ka kërcënuar që të përkeqësojë mospajtimet në mes këtyre dy shteteve.
Kryeministri izraelit, Naftali Bennett dhe ministri i Jashtëm, Yair Lapid, kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët, duke falënderuar Erdoganin dhe Qeverinë e tij për “bashkëpunim”.
Bennett po ashtu pritet të bisedojë me Erdoganin përmes telefonit.
Nëse realizohet, kjo do të jetë biseda e parë në mes të një kryeministri izraelit dhe presidenti turk, prej vitit 2013.
“Faleminderit gjithë popullit të Izraelit. Faleminderit secilit që ka ndihmuar, na ka mbështetur dhe na ka liruar”, ka thënë Oknin para gazetarëve, pasi ajo dhe burri i saj kanë arritur në Aeroportin Ben Gurion në Tel Aviv.
Çifti më vonë është përshëndetur nga familjarët dhe miqtë në Modiin.