Rajon - Botë

Turqi, rritet në 57 numri i të vdekurve nga përmbytjet në rajonin e Detit të Zi

48 kanë humbur jetën në provincën Kastamonu, 8 në Sinop dhe 1 në Bartın

ANKARA/BARTIN/KASTAMONU (AA) – Numri i të vdekurve nga përmbytjet në rajonin e Detit të Zi të Turqisë është rritur në 57, thanë autoritetet, transmeton Anadolu Agency (AA).

Përmbytjet e shkaktuara nga shirat e dendur goditën rajonin e Detit të Zi në veri të vendit të mërkurën, duke lënë 48 persona të vdekur në provincën e Kastamonu, tha në një deklaratë Autoriteti i Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD).

Po ashtu, tetë të tjerë vdiqën në provincën Sinop dhe një në Bartın.

Deri më tani 341 persona janë evakuuar në Bartın, 1.480 në Kastamonu dhe 526 në provincën Sinop.

Gjithsej 62 persona janë raportuar të zhdukur në Kastamonu, së bashku me 14 në Sinop, tha ministri i Brendshëm i Turqisë Süleyman Soylu pas ekzaminimeve në rrethin Bozkurt në provincën Kastamonu së bashku me ministrin e Mjedisit dhe Urbanizimit Murat Kurum dhe ministrin e Energjisë dhe Burimeve Natyrore Fatih Dönmez

Operacionet e shpëtimit dhe ndihmës vazhdojnë në zonat e goditura nga përmbytjet, shtohet në deklaratë.

Deri më tani 341 persona janë evakuuar me helikopterë dhe barka në Bartın, 1.580 në Kastamonu dhe 533 në provincën Sinop, tha AFAD.

Të premten, presidenti Recep Tayyip Erdoğan vizitoi rrethin Bozkurt në Kastamonu, zona më e goditur nga përmbytjet.

“Ne do të bëjmë çmos si shtet sa më shpejt që të jetë e mundur dhe shpresojmë se do të ngrihemi përsëri në këmbë” tha ai.

Presidenti shtoi se ai do të bëjë një vlerësim në vend së bashku me ministrin e Brendshëm Süleyman Soylu, ministrin e Transportit dhe Infrastrukturës Adil Karaismailoğlu dhe ministrin e Mjedisit dhe Urbanizimit Murat Kurum. Hapat e nevojshëm do të merren pas vlerësimit, tha ai.

Më vonë gjatë ditës, Erdoğan njoftoi se vendet e prekura janë shpallur zonë fatkeqësie.

Këto vende do të mund t’i shtyjnë detyrimet tatimore dhe tregtarët vendas do të lejohen t’i shtyjnë pagesat në Institucionin e Sigurimeve Sociale të vendit. Asistenca do të ofrohet gjithashtu për të mbuluar humbjet e pronës, automjeteve dhe vendeve të punës.

Shlyerjet e huave të bizneseve gjithashtu do të shtyhen, kurse shteti do të përgatisë një plan mbështetjeje emergjente për zonat e goditura nga fatkeqësitë.